Ish i dashuri i publikoi fotot intime në sajte porno, gruaja fiton 1.2 mld dollarë dëmshpërblim

Nga A2 CNN
16 Gusht 2023, 08:36 | Bota
Ish i dashuri i publikoi fotot intime në sajte porno, gruaja fiton 1.2 mld

Një grua nga Teksasi ka arritur të fitojë 1.2 miliardë dollarë dëmshpërblim, pasi juria në gjykatë vendosi se ajo ishte viktimë e një skeme hakmarrëse pornografike të ish të dashurit të saj.

Gruaja, e njohur vetëm me inicialet DL në dokumentet gjyqësore, ngriti një padi për ngacmim kundër ish të dashurit të saj në vitin 2022, ku pretendonte se ai postoi foto intime të saj në internet për ta "turpëruar publikisht" pas ndarjes.

Sipas dokumenteve të gjykatës, gruaja dhe ish i dashuri i saj filluan të takoheshin për herë të parë në vitin 2016. Me besim të plotë gruaja i ka dërguar ish të dashurit foto intime të saj gjatë lidhjes.

Por, kur u ndanë në vitin 2021, ish i dashuri i ka postuar fotot e saj intime në platformat e mediave sociale dhe faqet e internetit të të rriturve pa pëlqimin e viktimës.

Ai dyshohet se fotot ja u nisi po ashtu miqve dhe familjes së saj përmes një dosjeje në Dropbox, që ishte lehtësisht e aksesueshme nga publiku.

Ish i dashuri i saj u akuzua gjithashtu se kishte akses në telefonin e viktimës, llogaritë e mediave sociale dhe e-mailin e saj, si dhe në sistemin e kamerave të sigurisë në shtëpinë e nënës së saj, të cilat i përdori për ta spiunuar atë.

Në një moment, i pandehuri dyshohet se i dërgoi gruas një mesazh, ku e kërcënonte me publikimin e imazheve.

"Ti do ta kalosh pjesën tjetër të jetës duke u përpjekur dhe duke dështuar të fshish veten nga interneti. Të gjithë ata që takoni do ta kenë dëgjuar ndonjëherë historinë dhe do të të kërkojnë në internet", shkruhej në mesazh.

Avokatët e gruas në gjykatë argumentuan se ish i dashuri i saj postoi fotot "për të shkaktuar një kombinim të abuzimit psikologjik, dhunës në familje dhe abuzimit seksual përmes fotove" te viktima.

Avokatët fillimisht i kishin kërkuar jurisë 100 milionë dollarë dëmshpërblim.

Shpresojmë që shuma marramendëse e këtij vendimi të dërgojë një mesazh parandalimi dhe të ndalë të tjerët të përfshihen në këtë aktivitet të neveritshëm”, tha një nga avokatët e viktimës.

Juria më pas vendosi se ish i dashuri duhet t'i paguajë gruas 200 milionë dollarë për ankthin mendor të shkaktuar në të kaluarën dhe që do ta ndjekë edhe në të ardhmen, si dhe 1 miliardë dollarë si dëmshpërblim shembullor.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Edicioni informativ nga Suela Demiri