Italianët, jo vetëm për pushime/ Erdhën si turistë, por qëndruan në Tiranë dhe hapën një bar

Nga A2 CNN
28 Gusht 2023, 20:16 | Aktualitet
Italianët, jo vetëm për pushime/ Erdhën si turistë, por

Erdhën në Shqipëri për pushime dhe vendosën që duan të investojnë e kalojnë jetën në këtë vend. Raffaelle Biancareddu dhe Ricardo Virgili janë dy nga grupi shoqëror prej 4 personash që kanë investuar në një prej bizneseve më popullore në vend, atë të bar-restoranteve.

“Erdha në Shqipëri para rreth tre vitesh për herë të parë si turist pasi kisha punuar për 15 vite në Londër në sektorin e shërbimeve për të zbuluar “një tokë të re”. Shumëkush mund të pyesë se pse u desh të hapja pikërisht një bar dhe përgjigja ime është kjo: Është vendi ku njerëzit mund të socializohen, ndërsa italianët që jetojnë në Tiranë mund të gjejnë copëza nga vendlindja e tyre.”

Raffaelle Biancareddu, sipërmarrës italian në Shqipëri

Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se numri i ndërmarrjeve me pronar italian arriti në 2.875 vitin e shkuar duke u zgjeruar me 200 subjekte në raport me 2021-shin. (grafik 1) Në fakt më shumë se 4 në çdo 10 ndërmarrje të huaja që ushtrojnë aktivitetin e tyre këtu, janë Italiane. (grafik 2)

Pas gati një viti aktivitet, Ricardo Virgili shprehet i bindur se “ia vlen të investosh në Shqipëri”.

“Absolutisht po. Realiteti që kemi ndërtuar do të ishte shumë i vështirë për t’u arritur në vendet e tjera europiane. Sigurisht që ka shumë për të punuar, por ne si italian sjellim ato që ne dimë për të investuar në Shqipëri. Vendi juaj është një tokë e re, që premton shumë për të huajt.”

Ricardo Virgili, sipërmarrës italian në Shqipëri

Megjithatë, ashtu si thuajse gjithë investitorët e huaj, dhe italianët hasin vështirësi në punën e tyre të përditshme.

“Për sa i përket pjesës burokratike jeni ndoshta vendi i vetëm europian me shërbimet thuajse të gjitha elektronike. Megjithatë pengesat në pajisjen me dokumentacion nuk mungojnë, ndërsa duhet punuar edhe në drejtime të tjera për të lehtësuar sa më shumë “thithjen” e investitorëve të huaj.”

Raffaelle Biancareddu, sipërmarrës italian në Shqipëri

Ndërsa për Ricardon, problemi më i madh është gjetja e punonjësve të kualifikuar e veçanërisht kamerierëve.

“Bari që ne kemi hapur ka një tipologji të veçantë.. Ofrojmë kokteje dhe ushqime të tjera elegante dhe kemi hasur vështirësi në gjetjen e njerëzve vërtetë të aftë që të shërbejnë ashtu siç duhet. Ndonëse me vështirësi, kemi gjetur zgjidhje duke ofruar edhe trajnime.”

Ricardo Virgili, sipërmarrës italian në Shqipëri

Një tjetër sektor që po preferohet gjithmonë e më shumë nga italianët, është ai i pasurive të paluajtshme dhe tregu i qirave ditore. Ky i shtohet bizneseve më tradicionale si tregtia apo manifaktura. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos