8 miliardë e 26 milionë lekë është shuma që ka përfituar në 7 vitet e para të kontratës 10-vjeçare, koncesionari i sterilizimit. SaniService ka faturuar deri më sot Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për plot 76 milionë euro, duke deklaruar edhe një fitim neto prej 3.7 milionë eurosh.
Kompania fitoi në vitin 2015 garën për ofrimin e shërbimit të furnizimit të instrumenteve kirurgjikale dhe trajtimit të mbetjeve e dezinfektimin e sallave kirurgjikale, me një çmim mesatarisht 33% më të lartë se sa ofertuesit e tjerë në tender.
Në varësi të numrit të operacioneve që kryhen çdo vit në Shqipëri dhe kompleksitetit të ndërhyrjeve, koncesionari tarifon sipas kontratës deri në 37,700 lekë për set pajisjesh, duke realizuar një xhiro prej 1.4 miliardë lekësh, apo 13.5 milionë eurosh vetëm vitin e shkuar.
Jo vetëm çmimi ka qenë subjekt debatesh, teksa bashkimi i kompanive italiane e renditur e dyta në garë, u ankua zyrtarisht edhe për mënyrën se si u bë ndarja e pikëve dhe se ortakët e SaniService nuk kishin dëshmuar eksperiencë të mëparshme në thuajse asnjë prej fushave të kërkuara nga koncesioni.
Krahas denoncimeve në SPAK, paligjshmëri janë gjetur edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në mënyrën se si operojnë disa prej koncesioneve në fushën e shëndetësisë, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëm prej miliona eurosh. (A2 Televizion)