Kundërofensiva e Ukrainës, Republika Çeke: Kujdes, nuk do të keni mundësi tjetër

Nga A2 CNN
8 Maj 2023, 11:07 | Bota
Kundërofensiva e Ukrainës, Republika Çeke: Kujdes, nuk do

Më shumë se një vit pas fillimit të ofensivës ruse në Ukrainë, gjërat kanë ndryshuar. Ndërkombëtarisht, marrëdhëniet midis bllokut perëndimor dhe atij të udhëhequr nga Moska janë gjithnjë e më të tensionuara dhe mbështetja për Kievin nga aleatët e SHBA-së ka qenë gjithashtu në rritje.

Kremlini është duke pritur për një kundërofensivë ukrainase, për të cilën autoritetet ruse kanë caktuar tashmë një datë. Megjithatë, Republika Çeke ka paralajmëruar Kievin për këtë çështje. Presidenti çek, Petr Pavel, në deklaratat e mbledhura nga “The Guardian” është shprehur se ka këshilluar Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe kryeministrin Denys Shmyhal që të bëjnë kujdes.

Ai i ka paralajmëruar të dy se nuk kanë më elementin e befasisë që i shtyu ata të kenë sukses në kundërofensivat e tyre të fundit në Kharkiv dhe në jug të Khersonit. Dhe kështu duket se e mendon edhe Ukraina.

“Me sa duket, ata ende kanë ndjenjën se nuk kanë gjithçka për të filluar me sukses një operacion”, theksoi Pavel për gazetën britanike. Ish-koloneli i ka bërë me dije edhe Shmyhalit se nuk duhet të kryejnë një operacion të këtij kalibri “me ritme më të shpejta” pa qenë “të përgatitur plotësisht”.

“Për disa mund të jetë i madh tundimi për t'i bërë presion Rusisë, për të treguar disa rezultate. Por, do të jetë jashtëzakonisht e dëmshme për Ukrainën nëse ky kundërsulm dështon, sepse ata nuk do të kenë një shans tjetër, të paktën jo këtë vit”, shtoi Pavel.

Presidenti i Republikës Çeke, një hero lufte dhe ish-kryetar i komitetit ushtarak të NATO-s, beson se nëse kryejnë një kundërofensivë, trupat ukrainase do të përballen me “humbje të tmerrshme”. Ai këmbëngul se Kievi nuk mund të përballojë një sulm të dështuar, “sepse sulmet janë jashtëzakonisht kërkues për sa i përket grumbullimit të personelit, logjistikës së municioneve dhe financimit të karburantit”.

Rusia ka caktuar një datë për kundërofensivën ukrainase

Koloneli në pension i Milicisë së Republikës Popullore të Luganskut, Andrey Marochko, ka treguar ditët e fundit datën në të cilën besohet se Kievi do të përfitojë nga rasti për të kryer kundërsulmin e tij. Ata besojnë se do të ndodhë më 9 maj, ditën që shërben për të përkujtuar fitoren e trupave sovjetike kundër Gjermanisë naziste, në Luftën e Dytë Botërore.

“Deri në fund të javës priten kushte të favorshme të motit që do të ndihmojnë formacionet e armatosura ukrainase të përdorin plotësisht armët dhe pajisjet e furnizuara nga vendet e NATO-s”, shpjegoi Marochoko në deklaratat e mbledhura nga agjencia ruse TASS. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/05/05/shba-dhe-rusia-jane-ne-prag-te-nje-konflikti-te-armatosur/

A2 CNN Livestream

Latest Videos