Kur kurorëzohej një mbretëreshë, si kujtohet dhe çfarë ka ndryshuar nga ajo ditë?

Nga A2 CNN
6 Maj 2023, 10:35 | Bota
Kur kurorëzohej një mbretëreshë, si kujtohet dhe

Pamela Tawse ishte 18 vjeç dhe ende me uniformën e infermieres të veshur, kur ju drejtuar qendrës së Londrës pas turnit të natës, me shpresën për të parë nga afër Mbretëreshën e re Elizabeta, në ditën e kurorëzimit.

Sot, në moshën 88-vjeçare, kujton me nostalgji epokën kur Britania e Madhe, e cila ende duronte pasojat e Luftës së Dytë Botërore, mblodhi forcat për të parë begatinë dhe hijeshinë e fillimit të një mbretërimi të ri, historik.

“Vendosëm të dalim jashtë dhe të shihnim gjithçka që do të mundeshim. U ngjitëm mbi barrikada dhe truma e njerëzve ishte shumë e madhe. Papritur dëgjuam një gjëmim të fuqishëm dhe e kuptuam se mbretëresha ishte duke ardhur. Nuk mund të shihnim asgjë nga karroca”, kujton ajo.

Për Brenda Piper, e cila fjeti përdhe për të siguruar një vend përgjatë intinerarit të procesionit, mbizotëronte një ndjesi mrekullie ndaj atij që e quan spektakël i parakalimit të mbretëreshës me karrocën e saj të artë. “Isha vërtet e mrekulluar se sa i bukur ishte spektakli i mbretëreshës dhe karrocave që parakalonin. Ishte pak e ekzagjeruar por e mrekullueshme”.

Epoka Elizabetiane nisi në këtë mënyrë. Tawse dhe Piper janë 2 nga 12 personat që treguan për Reuters, kujtimet mbi kurorëzimin e mbretëreshës Elizabeta më 2 qershor të vitit 1953, në prag të kurorëzimit të djalit të saj, Mbreti Charles III, me të njëjtin pompozitet dhe madhështi por në një procesion më të vogël e me të shkurtër.

Ata ishin pjesë e rreth 3 milionë njerëzve qe mbushën rrugët e Londrës, që morën pjesë në festat jashtë, që panë për herë të parë ceremoninë në televizor, apo nga mijëra kilometra larg në kolonitë britanike. Elizabeta, e cila vdiq shtatorin e kaluar në moshën 96-vjeçare, pas 70 vitesh në fron, u bë mbretëreshë në 1952-shin pas vdekjes së të atit.

Sipas traditës, ka një periudhë pritjeje mes trashëgimit të fronit dhe kurorëzimit. Por jo çdo kush u mahnit nga ajo ditë në 1953-shin. Olive Goldsmith, e cila tani është një punonjëse e Këshillit të Refugjatëve, tha se eksperienca e saj ishte formësuar nga dy miq që kishin ofruar një këndvështrim të jashtëm; me njërin që e kishte kaluar fëmijërinë në Indi nën sundimin britanik dhe një tjetër nga Praga që ishte pushtuar nga gjermania naziste. “Mendoj se Mbreti Charles është i vetëdijshëm se përballet me një shoqëri krejt të ndryshme”, thotë ajo.

Shumë nga ata që folën për Reuters kujtojnë entuziazmin që mbizotëronte në atë kohë, kur mbretëresha e re shihej si simbol i një fillimi të ri për Britaninë e Madhe. Ndjesitë bien ndesh me ato që mbizotërojnë sot, teksa britanikët përballen me tkurrjen më të madhe të standardeve të jetesës që kur kanë filluar të regjistrohen të dhënat në vitet 50-të. “Brezi im ishte nga më fatlumët. E filluam me standardet më të ulëta të jetesës por më vonë gjërat nisën të përmirësohen në mënyrë dramatike”, thotë ajo.

Alex Falk, i cili ka punuar me fotografët e kurorëzimit thotë se Britania kishte rënë në rendin ndërkombëtar që prej viteve 50-të, ndërsa të tjerë shprehën keqardhje që vendi dhe stofa e tij sociale ka ndryshuar kaq shumë.

A2 CNN Livestream

Parashikimi i motit