Euro ka shënuar një rekord të ri negativ, duke zbritur për herë të parë zyrtarisht poshtë kufijve të 104 lekëshit. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, valuta europiane humbi plot 0.45 pikë kundrejt lekut ditën e enjte, për t’u fiksuar në nivelin e 103.6 lekëve.
Kjo është njëkohësisht rënia më e fortë ditore që prej fillimit të muajit, duke sinjalizuar se Korriku do të sjellë humbje të tjera.
Por rënia më e fortë u regjistrua për dollarin amerikan, plot 1.64 lekë më pak brenda një dite, tashmë në kuotën 92.77 lekëve. Valuta amerikane zbriti edhe në tregjet botërore në nivelin më të ulët të një viti, për shkak të shifrave të reja që sugjerojnë se nuk do të ketë nevojë për më shumë se një tjetër rritje të normës bazë të interesit.
Nëse në harkun e një muaji euro ka humbur 3.2 lekë, për dollarin humbja ndal monedhës tonë kombëtare arrin në mbi 6 lekë. Megjithatë, impakti negativ në vendin tonë është më i kufizuar, vetëm tek disa eksportues drejt Shteteve të Bashkuara dhe një numër relativisht i ulët individësh që paguhen në dollarë. (A2 Televizion)