Tregu i sigurimeve, arkëtimet rriten, por mungon sigurimi vullnetar nga shqiptarët

Nga A2 CNN
12 Korrik 2023, 16:45 | Ekonomi
Tregu i sigurimeve, arkëtimet rriten, por mungon sigurimi vullnetar nga

Tregu i sigurimeve po kalon vitin më të mirë teksa arkëtimet, ashtu edhe numri i kontratave të nënshkruara janë rritur ndjeshëm në gjysmën e parë të vitit.

Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për muajin janar-maj 2023 kapën vlerën 8,9 miliardë lekëve, apo 15.3% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sigurimet motorike qëndrojnë të parat në renditje me 60%, të pronës 25% dhe jetës e shëndetit me rreth 14%. Megjithatë duket se sigurimet vullnetare, si ai ndaj aksidenteve apo sigurimi i shëndetit janë ndër të paktat zëra që jo vetëm nuk kanë shënuar ecuri pozitive, por rezultojnë në rënie të dukshme.

Sipas anëtarit të shoqatës së siguruesve, Avni Ponari, as tërmeti apo pandemia nuk zgjoi shumë ndjenjën e përgjegjësisë tek qytetarët, për të siguruar shtëpinë apo jetën.

“Qytetarët shqiptarë sigurohen kur detyrohen. Në rastet si sigurimi I makinës se ta kërkon policia. Qytetarët shqiptarë sigurojnë shtëpitë kur I detyron banka apo dhe jetën. Siguron skemat shëndetësore kur ndërmarrja që punojnë paguajnë një pjesë të vogël dhe pjesën tjetër e paguajnë vet.”

Sipas Ponarit, me zhvillimin e turizmit në vend, duhet të zhvillohet edhe përgjegjësia e operatorëve të këtij tregu, për të siguruar aktivitetet e tyre nga të papriturat.

“Një vend si Shqipëria ku pritet dhe zhvillohet e të rritet dhe sigurimet duhet të ishin më të mëdha. Sot fluksi i turistëve të huaj është i madh por sa të përgjegjshme janë hotelet për tu siguruar? Pak ose aspak. Shohim ngjarje të tjera që ndodhin në të gjithë bregdetin shqiptar. A janë ato të mbuluara në sigurime çfarë mekanizmi duhet? “

Analizat e tregut sugjerojnë se faktor për mossigurimin vullnetar të jetës dhe pronës është kryesisht mungesa e njohurive të qytetarëve dhe bizneseve.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Debat nga Alba Alishani