
Fatmir Vejsiu, ish-drejtor i arsimit parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, tha se notat që do të marrin nxënësit në provimet e maturës do të tregojnë nëse është ndërhyrë në to.
“Ministria thotë që testi nuk ka gabime dhe në të njëjtën kohë dalin titullarë dhe deklarojnë që do të bëhet rishikimi i shpërndarjes së notave. Ky është autogol, të deklarosh vetë që unë e kam gabim, por do të rishikojmë notat. Pra i thonë maturantëve të mbyllin gojën se do t’u japin notën”, tha Vejsiu, në studion e Ditarit në A2.
“Maturantët thanë që testi i gjuhës së huaj ishte i lehtë, atë të matematikës e di unë që është shumë i lehtë dhe do të marrin nota të mira. Nëse edhe në testin e gjuhë-letërsisë do të jetë e ngjashme kurba e notave, atëherë kemi të bëjmë me deformim të realitetit. Dhe mendoj që njerëzit që e kanë bërë këtë duhet të mbajnë përgjegjësi edhe para ligjit nëse kanë bërë ndërhyrje të kësaj natyre”.
Sipas Vejsiut, specialistë të ndryshëm deklarojnë se testi i gjuhë-letërsisë është fare i pavlerë. “Vetëm autorët ishin brenda programit, të tjerat ishin jashtë logjikës. Pra të krahasosh modelin e testit që nxori Ministria e Arsimit me testin që u dha maturantëve ka ndryshim shumë të madh. Maturantët kanë të drejtë. Ministria nuk ka të drejtë të dalë në mbrojtje të tezës. Ajo duhet të bënte ballafaqimin me specialistët, duke vënë para përgjegjësisë autorët e testit. Maturantët nuk e kuptonin çfarë kërkonte testi”, tha ai.
E kundërta ndodhi te testi i matematikës, mendon Vejsiu. “Ishte një test shumë i lehtë. Edhe shtyrja e kohëzgjatjes së testit me 30 minuta nuk përkonte me vështirësinë e tij. U bë thjesht për të mikluar nxënësit. (A2 Televizion)