Testi i matematikës, mbyllet provimi i tretë, maturantët vijojnë ankesat për gjuhën

Nga A2 CNN
15 Qershor 2020, 17:35 | Sociale

Maturantët janë rikthyer në shkolla për provimin e tretë të matematikës. Pas protestave disaditore  dhe vendimi të komitetit të maturës, provimi zgjati si në kushte normale, 2 orë e 30 minuta.

Ndërsa hyrja në shkolla dhe qëndrimi në klasa u bë sipas protokolleve mbrojtëse ndaj Covid-19.  Në përfundim të provimit nxënësit japin opinionet e para në lidhje me nivelin e vështirësisë së testit.

 “Një test normal, nuk patëm ngërçet e letërsisë, ishte sipas programit orientues. Dy orë e gjysmë na u duk mjaftueshëm”, thonë disa prej tyre për A2, pak pas mbarimit të provës së tretë.   

 “Një test normal, nuk patëm ngërçet e letërsisë"

Pas provimit të matematikës nxënësit janë njohur edhe me çelësin e përgjigjeve të letërsisë kanë konstatuar gabime në shumë nga pyetjet për të cilat dolën dhe në protestë.

“Disa alternativa mu dukën jashtë logjikës, kisha bërë deri në 10 gabime në pjesën e letërsisë”, thotë një nga studentët në protestë.  

“Testi i letërsisë? Disa alternativa mu dukën jashtë logjikës".

Ministria e Arsimit ka vendosur të rishikojë mënyrën e shpërndarjes së notave të letërsisë pas korrigjimit elektronik të të gjithë testeve.

Por maturantët kanë dalë sërish në protestë edhe pse shumë më të paktë në numër. Ata janë në pritje të notave për tre provimet e dhëna, ndërsa më 18 qershor zhvillohet provimi i fundit, ai i lëndës me zgjidhje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos