Mali i Zi arreston një ndër më të kërkuarit në botë, e "tradhtuan" shenjat e gishtave

Nga A2 CNN
24 Mars 2023, 08:48 | Bota

Autoritetet në Korenë e Jugut bëjnë me dije se bosi në arrati i një skeme mashtruese kriptomonedhash, Do Kwon, i cili ka shkaktuar një dëm prej 40 miliardë dollarësh, është arrestuar në Malin e Zi.

Do Kwon është një ndër personat më të shumëkërkuar dhe në Shtetet e Bashkuara, pasi së bashku me kompaninë e tij Terraform Labs orkestroi një mashtrim miliarda dollarësh me monedhat virtuale.

Në shtator autoritetet koreano-jugore nxorën një urdhërarrest për Kwon nën akuzën se kompania e tij kishte shkelur rregullat e tregut.

Më herët, mendohet se ai fshihej në Serbi dhe Seuli dërgoi zyrtarë në Beograd për të negociuar arrestimin e tij, pasi dy vendet nuk kanë marrëdhënie ekstradimi. Ndërkohë që Kwon mohonte të ishte në arrati, teksa nuk e tregonte vendndodhjen.

Lajmi për arrestimin e tij u dha nga ministri malazez i Brendshëm, Filip Adziç, i cili deklaroi se një ndër personat më të kërkuar në botë u kap në aeroportin e Podgoricës.

Adziç shton se i dyshuari po përpiqej të udhëtonte me identitet të rremë dhe dokumente false. Në orët e para të mëngjesit të së premtes, autoritetet koreane konfirmuan se bëhej fjalë pikërisht për Kwon, pas verifikimit të shenjave të gishtërinjve.

Ende nuk dihet si do të vijojnë procedurat pasi edhe Mali i Zi nuk ka një marrëveshje ekstradimi me Shtetet e Bashkuara apo Korenë e Jugut.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Debat nga Alba Alishani