
Mbrëmja e kësaj të mërkure do të përcaktojë edhe finalisten tjetër të Champions League. Manchester City dhe Reali i Madridit premtojnë betejë për biletën e mbetur në finalen e Stambollit.
Dueli që do të luhet në Angli është padyshim ndeshja më prestigjioze. “Qytetarët” kërkojnë të hakmerren për përmbysjen e papritur të vitit të kaluar. Gjithçka nis nga barazimi 1-1, i regjistruar në gjysmëfinalen e parë të luajtur në Bernabeu.
“Jemi me fat që përjetojmë momente të tilla. Nuk duhet të bëjmë asgjë të jashtëzakonshme, gjithçka varet nga ne. Duhet të japim më të mirën dhe të jemi vetvetja, kundër Realit të Madridit nuk mjafton vetëm dëshira. Jemi një ndeshje larg triumfit në kampionat, do të luajmë finalen e FA Cup, por na mungon vetëm të fitojmë Champions. Kam humbur shtatë nga dhjetë gjysmëfinale në këtë turne, e njoh ndjesinë që të jep humbja”, tha Guardiola.
“Nuk kemi ndonjë plan special, thjesht kërkojmë të marrim më të mirën në nivel individual dhe kolektiv. Mendoj se mund të bëjmë diçka më mirë se në ndeshjen e parë, e analizuam paraqitjen dhe e kemi të qartë ku mund të përmirësohemi. Jemi pranë arritjes së një objektivi të rëndësishëm, kjo na motivon dhe ndihemi entuziastë. Edhe pse e kemi të qartë që nuk do të jetë e lehtë, vështirësitë na ndihmojnë të përmirësohemi”, deklaroi tekniku i spanjollëve.
Fituesja e çiftit Manchester City-Real Madrid do të luajë në finalen e 10 qershorit në Stamboll, kundër Interit, që triumfoi në derbin me Milanin. (A2 Televizion)