Maratona “Enkelana”, Pogradeci pret 700 atletë profesionistë e amatorë në fshatrat turistikë

Nga A2 CNN
30 Korrik 2023, 18:54 | Sporte të tjera
Maratona “Enkelana”, Pogradeci pret 700 atletë

Kanë mbërritur në Pogradec nga Ballkani, Evropa dhe Brazili, rreth 700 atletë që të marrë pjesë në një maratonë në fshatrat turistike të këtij qyteti.

Organizatorët e kishin ndarë maratonën në dy kategori vrapimesh, gjysmë maratonë 21 Km që kishte si start fshatin turistik të Linit dhe gara e 10 Km që ka pasur edhe pjesëmarrjen më të madhe është organizuar brenda në qytet duke përfshirë edhe rrugën e liqenit drejt Tushemishtit.

Në garën e 10 km për femra fituese ka qenë atletja greke Angeliki Koremenou dhe për meshkuj shqiptari nga Kërçova e Maqedonisë Muxhahit Mislimi.

Gara e 21 Km është dominuar për meshkuj nga greku Panajotis Alevizos, i cili që në km e parë ja ka dalë për të stakuar të gjithë grupin e atletëve të tjerë për të hyrë kështu i vetëm në finish.

Këtë garë për femra e ka dominuar atletja shqiptare Sonja Çekini e cila në finish është mbuluar nga lotët pasi ja ka dalë duke ruajtur ritmin e meshkujve në pjesën më të madhe të kësaj gare. Atletë profesionistë, qytetarë e turistë janë bërë pjesë e kësaj maratone.

Kryetari i Bashkisë së Pogradecit Ilir Xhakolli tha se bashkia ka një kontratë 5-vjeçare për organizimin e kësaj maratone, e cila edhe këtë vit ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve.

Për 1 orë e 30 minuta aksi nacional Pogradec-Qafë Thanë, por edhe rrugët kryesore të qytetit ishin të bllokuara për të plotësuar kështu standardet e një gare ndërkombëtare si kjo e Maraton Enkelana. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/07/28/maratona-enkelana-gati-per-edicionin-e-dyte-700-pjesemarres-nga-35-vende/

A2 CNN Livestream

Latest Videos