Marrëveshja Kosovë-Serbi, Escobar: Arritje historike, e detyrueshme në çdo mënyrë

Nga A2 CNN
22 Maj 2023, 13:52 | Kosova
Marrëveshja Kosovë-Serbi, Escobar: Arritje historike, e detyrueshme

Marrëveshja për normalizimin  e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është e detyrueshme në çdo mënyrë, dhe zbatimi i plotë i saj do të ndihmojë rajonin të shërojë konfliktin më përçarës të ngrirë në Ballkanin Perëndimor, që në vitin 1999. Kështu u shpreh i dërguari i shteteve të bashkuara për Ballkanin  Perëndimor, Gabriel Escobar, në një intervistë për agjencinë e lajmeve MINA. Ai e cilësoi marrëveshjen një hap historik në marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Dua t'ju them se procesi është një zhvillim historik në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës. Një marrëveshje për normalizimin, sipas kushteve evropiane, që krijon një marrëdhënie paqësore, të qëndrueshme dhe të parashikueshme midis dy fqinjëve armiqësor, është një arritje e madhe. Është dashur shumë guxim politik nga presidenti Vuçiç dhe kryeministri Kurti, për të arritur atë marrëveshje. Dhe meqë ra fjala, është një obligim ligjërisht i detyrueshëm. Dëgjoj njerëz që thonë se nuk kanë nënshkruar, dhe për këtë arsye nuk është e ligjshme. Është e ligjshme në çdo mënyrë”.  

Teksa përmendi detyrimet që duhet të përmbushë secila palë në kuadër të marrëveshjes, zyrtari i lartë amerikan tha se “nuk sheh arsye” që dakordësia për çështjet e mbetura të mos arrihet deri në fund të verës. 

“Nga pala serbe ka disa elemente që duhet të plotësohen në aspektin e njohjes së patentës së shoferëve, targave, letërnjoftimeve dhe disa gjëra të tjera. Dhe nga Kosova pritet që ta bëjnë asociacionin e komunave serbe. Më falni, nuk është pritshmëri, është detyrim. Dhe kështu ne duam të shohim se procesi po ecën sa më shpejt që të jetë e mundur. Nuk shoh ndonjë arsye pse nuk mund ta përfundojmë atë deri në fund të verës”.

Escobar qëndroi gjatë fundjavës në Mal të Zi, ku mori pjesë në ceremoninë e betimit të presidentit tëri të këtij vendi, Jakov Millatoviq.

A2 CNN Livestream

Dita jonë 2024