
Kryeministri Edi Rama është ndalur në Durrës, ku ka folur për sportin, e më konkretisht për futbollin. Ai u ndal të fliste për marrëveshjen e arritur me klubin e futbollit, Manchester City. Rama tha se Shqipëria ka marrë ekskluzivitetin për krijimin e kësaj akademie në Ballkan, e cila do të shndërrohet në një “fabrikë talentesh”.
Në këtë kuadër, Rama tha se shumë shpejt do të ndërtohet ekipi “Durrës City”, që do të jetë një vazhdimësi e akademisë së të rinjve të kësaj skuadre, por theksoi se kjo shkollë futbolli do i shërbejë të gjitha ekipeve.
“Kemi marrë ekskluzivitetin që të jemi një qendër për të gjitha vendet e Ballkanit, një destinacion për talente nga i gjithë rajoni dhe nëse do bëhet një akademi e dytë, Bashkia e Durrësit do të jetë partnere. Hapi i parë është se ne duhet të ngremë grupin tonë këtu, Durrës City, një bërthamë që do të zhvillohet në të ardhmen si një skuadër më vete. Akademia dhe shkolla e futbollit do i shërbejë të gjitha klubeve në Shqipëri. Akademia nuk është ekskluzive për talente dhe lojtarë të vegjël që i përkasin Manchecter City, i përkasin të gjitha klubeve. Numri i fëmijëve që janë të regjistruar në sistemin e futbollit në Shqipëri dhe atyre të regjistruar në sistemin e futbollit evropian është marramendës, janë mbi 100 mijë të rinj të regjistruar në sistemet futbollistike europiane dhe ne besojmë shumë që talenti në të gjithë familjen tonë kombëtare përbën bazën fantastike jo vetëm për futbollin, por për Shqipërinë. Ne do të vazhdojmë më tutje dhe për krijimin e sistemeve të mbështetjes”, tha Rama.
Marrëveshja me Akademinë e klubit të Manchester City u nënshkrua më 26 prill. Nënshkrimi i kësaj marrëveshje për Ramën, nuk ndihmon vetëm për futbollin, por edhe për ekonominë e turizmin në tërësi. (A2 Televizion)