Gjykata ka lënë në burg dy ish-deputetët e Partisë Socialiste, Arben Ndoka dhe Arben Çuko, pas seancës për masën e sigurisë për 34 të arrestuarit e operacionit VOL-VO 4. Nga 34 të arrestuarit 8 prej tyre janë lënë të lirë. Marjeta Përskura dhe Mimoza Ndoka kanë marrë masën detyrim paraqitje, ndërsa 6 të tjerë janë lënë në arrest shtëpie.
Ndërsa të arrestuarit që do të vazhdojnë të mbeten pas hekurave janë: Hajri Seferi, Jasin Kala, Shkëlqim Avdyli, Astrit Avdyli, Saimir Gjepali, Artur Balla, Paulin Simoni, Altin Avdyli, Jasin Avdyli, Fatos Llaftiu, Bledi Ndoka, Denis Llaftiu, Esat Mehmeti, Saimir Sulejmani, Elis Guri, Ilirjan Prifti, Ardit Gjyriqi, Petro Kuçi, Elton Shehaj, Gjevi Ndoka, Armand Spiro.
Nga 34 të arrestuarit, 24 kanë dalë për masën e sigurisë në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë, 9 në Gjykatën e Lezhës dhe 1 në Shkodër.
Në përfundim të seancës, avokati Maks Haxhia, i cili përfaqëson edhe dy ish-deputetët socialistë, e ka quajtur gjyqin qesharak dhe të montuar, pasi sipas tij, gjyqtari Bibë Ndreca nuk kishte lexuar dosjen dhe nuk ishte në dijeni të faktit që njëra prej të arrestuarave, Mimoza Ndoka, ishte me fëmijë të vogël.
“Fatkeqësisht ju nuk ishit në sallë”, u tha Haxhia gazetarëve. “Nëse do të ishit aty brenda do të krijonit një tablo tjetër. Proces më qesharak dhe anti ligjor s’kam parë në 40 vite të karrierës sime”. (A2 Televizion)