Në selinë e Partisë Demokratike po mbahet mbledhja e Këshillit Kombëtar, dhe fjalën hyrëse e ka lideri i partisë, Sali Berisha, i cili pranoi se vendi ka hyrë në një moment të rëndësishëm, “jo vetëm të PD-së, por edhe të demokracisë shqiptare, të shoqërisë shqiptare dhe Shqipërisë”.
Sipas tij, PD kaloi sfida “unike në historinë e një force politike. U gjendëm në rrethana në të cilat ne ishim parashikuar që kurrë më të mos ishim ajo forcë politike që kemi qenë. Në rrethana në të cilën u vërsulën ndaj nesh me tërbim mafia qeveritare më e rrezikshme e Europës, mafia e Edi Ramës”, në bashkëpunim, sipas tij, “me tradhtarë të kombit më të madh, SHBA-së, në bashkëpunim me diplomatë të korruptuar deri në palcë, të cilët na sulmonin vetëm e vetëm që i gjithë pushteti t'i përkiste një njeriu, Edi Ramës”.
Partia e tij u etiketua si antieuropiane dhe antimaerikanë, “por koha tregoi se ashtu siç u themeluam, qëndruam si parti e vokacionit perëndimor”.
Sipas tij, regjimi i Ramës nuk përmbyset dot me vota, por me revolucion. “Çfarë do të bëjmë ne sot, a përmbyset me votën e lirë, kur qytetarët nuk lejohen të votojnë të lirë, një regjim që ka zëvendësuar shtetin ligjor me narkoshtetin? Ne jemi njerëz të politikës, nuk mund të bëhemi iluziv. Ai përmbyset vetëm me revolucion, vetëm me revolucion. A mund të përmbyset me votën që nuk ekziston sepse është asgjësuar, një regjim i cili të gjithë makinerinë e shtetit e ka shndërruar në makineri partiake. Ky regjim votën nuk e pranon, ky regjim përmbyset vetëm me revolucion. A mund të përmbyset një regjim që përdor të gjitha bandat për të trembur, frikësuar dhe plaçkitur votën. Ky regjim përmbyset, por vetëm me revolucion”, ishin fjalët e tij në mbledhje, duke specifikuar se ”asnjë nuk duhet të mendojë se revolucioni do na shmangë nga procedurat kushtetuese, elektorale, jo e jo. Nga asgjë, por askush nuk duhet të mendojë se ato janë zgjidhje. Zgjidhje janë kur ato kombinohem me revolucionin, kjo është zgjidhja". (A2 Televizion)