Midis artit dhe shkencës, vizatimet e jashtëzakonshme anatomike të Leonardo da Vinçit

Nga A2 CNN
9 Shkurt 2023, 15:53 | Aktualitet

Figura e Leonardo da Vinçit është një nga më magjepsëset në historinë e artit. Krahasuar me çdo bashkëkohës të tij, ai mishëroi modelin e njeriut ideal të Humanizmit dhe Rilindjes, si një individ i etur për dije, interesat e të cilit varionin në të gjitha fushat e dijes, nga piktura te muzika, nga matematika te traktatet. Por në veçanti, qasja e Leonardo da Vinçit ishte ndaj anatomisë njerëzore, e cila u zhvillua në rininë e tij, kur ai frekuentonte punëtorinë e Andrea del Verrocchio, mjeshtrit të tij, në Firence.

Midis artistëve të shekullit të pesëmbëdhjetë, kishte një traditë të përhapur për t'iu përkushtuar studimit të formave të trupit të njeriut përmes prerjes së kufomave, për ta paraqitur më mirë trupin në veprat e tyre të artit. Njeriu i tij Vitruvian është shumë i famshëm, por është vetëm një nga vizatimet e panumërta të shkencëtarit dhe artistit të madh. Fletoret e tij, ishin plot me skelete, muskuj dhe organe, të shoqëruara me shënime për funksionimin e tyre.

Trupi i njeriut, si një makinë e përsosur, e kishte magjepsur tmerrësisht Leonardon, i cili donte të kuptonte se çfarë kishte brenda, si funksiononte dhe çfarë ndodhte edhe kur ndalonte me vdekjen. Ndër vizatimet e tij anatomike, më spektakolare dhe mbresëlënëse mbeten ato që tregojnë një fetus para lindjes. Imazhe krejtësisht të reja për atë kohë, dhe sigurisht tronditëse.

Ai gjithashtu kreu kërkime të shumta mbi syrin e njeriut, për të kuptuar vizionin e tij tredimensional. Për ta bërë këtë, ai ziente një sy kau në të bardhë veze, për ta zbërthyer dhe studiuar brendësinë e tij. Kështu ai zbuloi retinën dhe nervin optik, duke raportuar vëzhgimet në vizatimet e tij.

Gjatë dimrit të vitit 1507, Leonardo kreu një autopsi mbi një burrë njwqind vjeçar në Spitalin e Santa Maria Nuova në Firence. Ai mundi t'i atribuonte vdekjen, ngushtimit të arteries koronare, duke ofruar përshkrimet e para të qarta të aterosklerozës dhe cirrozës së mëlçisë në historinë e mjekësisë.

Krahas studimeve sistematike për trupin e njeriut, artisti ka vizatuar edhe karikatura, fytyra njerëzore me tipare të ekzagjeruara me të cilat ka dashur të eksplorojë të kundërtën e bukurisë së trupit të njeriut, përkatësisht plakjen dhe deformimin e lidhur me pleqërinë. Nuk bëhej fjalë për karikatura që tallnin personazhet, por studime reale të dobishme për të eksploruar transformimin e trupit dhe universit shprehës të njeriut. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2021/04/16/leonardo-da-vinci-misteret-e-jetes-se-nje-gjeniu/

A2 CNN Livestream

Latest Videos