Ka mbyllur rrugëtimin këtë vit MIK Festival, nga Drenova. Korça e serenatave ka pritur muzikën klasike italiane, atë rumunen, flamengon spanjolle si dhe pa diskutim serenatat korçare.
Nata e fundit do i dedikohej Drenovës së Asdrenit, në një koncert të hapur në natyrë.
Gjergji Mani, tenori korçar, i cili prej vitesh jeton në Rumani duke prekur skenat më të rëndësishme të Europës do të rikthehej bashkë me bashkëshorten e tij soprano për të dhuruar emocione të veçanta artdashësve, melodi "të interpretuara nga Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura të drejtuar nga mjeshtrja Elda Laro.
“Emocion i veçantë t’i kthehesh pas 15 vitesh skenës në Korçë ka qenë më të vërtetë një emocion i madh, por dhe nga ana e bashkëshortes. Publiku na priti shumë mirë, ka qenë një natë e mrekullueshme, muzika ishte speciale. Unë gjithmonë do të jem korçar, është tek gjaku i që vlon Korça dhe malli e dashuria për Korçën asnjëherë nuk e kam humbur dhe në Rumani, ku kam pasur mundësi kam kënduar muzikën shqiptare dhe korçare”, u shpreh Gjergji Mani.
“Një mbrëmje e papritur me emocione të papërshkruara. Nuk e prisja që do ishte një ambient i tillë, njeriu mendon fushë, mendon s'do këtë asgjë, por në fushë gjen gjithçka dhe është thesar shumë i madh ka ndodhur një bashkëpunim i gjerë mes orkestrës, mes 4 këngëtarëve, sepse dje kishim dy italiane dhe sot shqiptare e rumune, orkestër kaq e re, ka arritur të kryejë një sukses shumë të madh”, deklaroi dirigjentja Elda Laro.
Inva Mula, sopranoja shqiptare me famë botërore njëkohësisht organizatorja e MIK Festival tregon se edicioni i 6 ishte një sukses, duke premtuar se do të ketë një të 7-të.
"Ndodhi magjia, ishte një program shumë ambicioz, në momentin që filloi nata, ishin koncerte të fuqishme dhe e çuam deri në fund. Njerëzit e meritonin është traditë, 6 edicione nuk janë pak, 500 artiste, shumë kombësi. Kemi festivalin e 7 vitin që vjen, është një premtim".
Edicioni i 6 i MIK Festival solli muzikë spanjolle, italiane, angleze, rumune dhe shqiptare duke ndërthurur muzikën klasike me atë tradicionale. (A2 Televizion)