
Situata me pandeminë nuk duhet të mbesë jashtë vëmendjes, me thirrjet e OBSH-së për kujdes ndaj një vale të dytë të pritshme. Eugena Tomini, nga Instituti i Shëndeti Publik, foli këtë mëngjes në Dita Jonë për situatën aktuale të pandemisë në vendin tonë.
Tomini u shpreh se aktualisht situata është e qëndrueshme, por ende nuk ka një tablo të qartë kur gripi sezonal të bëhet bashkë me Covid-19.
“Situata epidemiologjike ka qenë në një periudhë të qëndrueshme, si me rastet e reja, ashtu edhe për të shtruarit në spital. Sa i përket qëndrueshmërisë së kësaj situate edhe në javët në vazhdim kjo mbetet për t’u parë. Kemi hyrë në monitorimin e infeksioneve respiratore edhe të tjera. Për rrjedhojë parashikohet që në muajt e dimrit dhe vjeshta do të shtojë infeksionet e tjera respiratore. Akoma nuk e kemi tablonë e qartë se çfarë do të ndodhë kur të gjithë viruset të bëhen bashkë. Virusi i gripit ka pasur predominancë të lartë gjatë viteve të fundit, ndërsa Covid ka pasur një zbehje, por sërish ka virulencë”, u shpreh Tomini.
Ndërkohë, për të parë se si do të ndikojë nisja e shkollave në rastet e reja, Tomini u shpreh se për ta bërë një gjë të tillë duhet të kalojnë 3 javë. “Nuk kemi një situatë alarmuese, pasi nuk kemi shkolla të mbyllura vetëm disa raste, të cilat janë izoluar”, tha Tomini. (A2 Televizion)