Në krye pas 5 vjetësh, Raikkonen i “ngrin buzëqeshjen” Hamilton

Nga A2 CNN
21 Tetor 2018, 22:25 | Sporte të tjera

Kimi Raikkonen ka shtyrë të paktën edhe për një garë festën e Lewis Hamilton në Formula 1. Finlandezi i Ferrarit arriti i pari në finish në Çmimin e Madh të Shteteve të Bashkuara, në Austin të Teksasit, duke u rikthyer të fitorja pas 5 viteve.

Hamilton arriti të ngjitet në podium, por para tij ishte Max Verstappen me Red Bull, i cili i befasoi të gjithë edhe pse u nis nga vendi i 18-të. Pikët e marra nga britaniku në këtë garë nuk i mjaftuan atij të festonte në Teksas triumfin e radhës në Formula 1.

“Urime Kimi! Punë e mirë edhe ti Max. Kjo ishte më e mira që ne mund të bënim sot këtu, megjithatë ishte bukur që kishin një garë”, tha Hamilton, i cili e nisi nga “pole position” garën në kërkim të fitores së 6 në pistën e Austin.

Raikkonen, fitorja e fundit e të cilit daton prej vitit 2013 në Çmimin e Madh të Australisë, u shfaq si zakonisht: një njeri “i akullt”. “Sigurisht që jam shumë më i gëzuar sesa thjesht që dola i dyti. Ishte një fundjavë e madhe dhe makina ka qenë shumë e mirë gjatë të gjithë kohës”, tha 39-vjeçari finlandez.

Raikkonen, i cili do të largohet për te Sauberi në fund të sezonit, mori kryesimin në xhiron e parë dhe vijoi më pas me strategjinë dhe taktikën e tij deri në fund, për të rrëmbyer fitoren e 21-të në karrierë. Kjo ishte fitorja e parë pas 113 garash, periudha më e gjatë mes dy fitoreve në historinë e Formulës 1, duke thyer kështu rekordin e mëparshëm të mbajtur nga italiani Riccardo Patrese. Shoku i skuadrës së Hamiltonit, Valtteri Bottas e mbylli garën në vendin e 5-të, përpara Nico Hulkenbergut dhe Sainzit, që të dy me Renault. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos