Qeveria mbetet e vendosur që të taksojë profesionet e lira, ato që vetë i përjashtoi nga taksat dy vite më parë, së bashku me bizneset e vogla. Drafti i Ministrisë së Financave është duke u diskutuar me grupet e interesit dhe ka ngjallur jo pak kritika dhe shqetësim. Aq sa kontabilistët deklarojnë se do t”i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.
Por ky nuk ka qenë zhvillimi i vetëm i kësaj jave. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës falimentoi Silikon Valley Bank, një bankë investimesh, ndërsa gjashtë të tjera janë vendosur në fokus të agjencive të vlerësimit përsa i përket shëndetit financiar të tyre. A ka kaluar më e keqja apo ekziston rreziku që situata të përshkallëzohet si kriza…
I ftuar në “A2Business” në A2CNN, Niko Lera, Drejtor i Politikave Fiskale në Ministrinë e Financave shpjegoi se përse po taksohen profesionet e lira dhe jo bizneset e tjera të vogla.
Sipas Lerës, fitimi neto deri në 14 milion lekë në vit taksohet 15 për qind. Ndërsa çdo lek shtesë mbi 14 milion lekë do të taksohet me 23 për qind.
Pra, sipas tij, nga rreth 105 mijë tatimpagues të biznesit të vogël, vetëm 0.3 për qind e tyre deklarojnë fitim mbi 14 milion lekë.
Z. Lera pse taksohen profesionet e lira dhe jo bizneset e tjera të vogla?
Së pari, nuk taksohet qarkullimi, por taksohet fitimi neto. Fitimi neto deri në 14 milion lekë në vit taksohet 15 për qind. Ndërsa çdo lek shtesë mbi 14 milion lekë do të taksohet me 23 për qind. Pra, nga rreth 105 mijë tatimpagues të biznesit të vogël, vetëm 0.3 për qind e tyre deklarojnë fitim mbi 14 milion lekë.
Po ata që do taksohem me 15 sa janë?
Ata janë rreth 7-8 mijë biznese dhe norma efektive e tyre nuk do të jetë asnjëherë 15 për qind sepse do të gëzojnë të drejtën e zbritjeve.
Pse kjo kategori? Është një diskriminim...
Është gabim që e fokusoni vëmendjen vetëm te termi “profesione të lira”. Ne po taksojmë furnizuesit e shërbimeve, sepse periudha nga viti 2015-2023 pjesa dërrmuese, 95 për qind e tatimpaguesve të vegjël, ku hyjnë edhe furnizuesit e shërbimeve, e kanë pasur tatimin zero. Në këtë periudhë ka ndodhur fenomeni i zhvendosjes së tatimpaguesve nga një kategori taksimi, te tjetra, për shkak edhe të taksës zero. (A2 Televizion)