Teksa sezoni turistik gati vijon, megjithëse në muajin e fundit të vjeshtës, me temperaturat që po krijojnë “një vjeshtë të dytë” e pushues që ende bëjnë plazh, ka nisur ndarja e bregdetit për vitin e ardhshëm. Prej të martës së 1 nëntorit e deri në fundin e muajit subjektet mund të aplikojnë në platformën qeveritare “E-Albania” për marrjen e lejes për shfrytëzimin rreth 1300 stacioneve në vijën bregdetare të vendit.
Sipas udhëzimeve të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, operatorët duhet të dorëzojnë në e-Albania gjatë aplikimit planin e operimit të ushtrimit të veprimtarisë, foto të strukturës akomoduese e hapësirës së plazhit, si dhe projektin arkitektonik.

Ndarja e bregdetit do të bëhet në bazë të një hierarkie. Më të favorizuar janë hotelet e vijës së parë, ato afër stacioneve të plazhit, njësitë e shërbimit me 20 tavolina dhe subjektet që marrin me qira hapësira plazhi të pashfrytëzuara.
Pas kualifikimit paraprak subjektet duhet të dorëzojnë gjithashtu edhe planvendosjen për sipërfaqen konkrete të miratuar të stacionit të plazhit, vërtetimin e pagesës së kryer në llogari në bashkisë dhe konfirmimin nga autoritetet tatimore se subjekti ka shlyer të gjitha detyrimet tatimore.

E re për sezonin e vitit të ardhshëm turistik do të jetë edhe mundësia për të aplikuar për vendqëndrime për mjetet lundruese. Ndryshe nga sa deri më tani, për sezonin e ardhshëm veror subjektet do mund të shfrytëzojnë vetëm 70 për qind të hapësirës së bregdetit, pasi pjesa tjetër do jetë plazh publik. (A2 Televizion)