OKB ngre alarmin: Mbi 29 mijë emigrantë humbën jetën në rrugën për në Evropë që nga 2014

Nga A2 CNN
26 Tetor 2022, 08:34 | Bota
OKB ngre alarmin: Mbi 29 mijë emigrantë humbën jetën në

Më shumë se 29,000 njerëz kanë humbur jetën në rrugët e emigrimit drejt Evropës që nga viti 2014. Sipas një raporti të ri të Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), të paktën 5,684 migrantë kanë vdekur duke u përpjekur të arrinin në Evropë vetëm që nga fillimi i vitit të kaluar.

Sipas raportit, rruga më vdekjeprurëse e migrimit mbetet Mesdheu Qendror nga Libia dhe Tunizia drejt Maltës ose Italisë, me emigrantë që kalojnë detet me gomone të rrezikshme dhe të rrëmbyeshme.

IOM tha të martën se 2,836 migrantë dhe refugjatë kanë humbur jetën përgjatë kësaj rruge që nga janari 2021, një rritje në krahasim me periudhën e mëparshme.

Ndërkohë, më shumë se 1,500 vdekje janë regjistruar në rrugën e Oqeanit Atlantik nga Afrika Perëndimore në Ishujt Kanarie të Spanjës që nga viti 2021.

OKB-ja ka paralajmëruar "rritje të numrit të vdekjeve" në kufijtë detarë dhe tokësorë me Evropën, duke përfshirë Kanalin Anglez.

Shumë nga vdekjet "mund të ishin parandaluar nga ndihma e shpejtë dhe efektive për migrantët", thuhet në njoftimin për shtyp , duke pretenduar se ekziston gjithashtu një "dështim strukturor për të ofruar rrugë të sigurta".

Sirianët përbënin numrin më të madh të vdekjeve në rrugën për në Evropë, pas marokenëve dhe algjerianëve.

IOM-i pranoi gjithashtu se numri i vërtetë i viktimave mund të jetë më i lartë për shkak të "anijeve të padukshme", varkat e emigrantëve që zhduken në det pa dëshmitarë.

A2 CNN Livestream

Dita jonë 2024