
Gjykata e Apelit në Durrës ka lënë në fuqi masat e sigurisë të vendosur nga Gjykata e Elbasanit për 45 personat e arrestuar nga megaoperacioni “Rrjeti”.
Gjykata e Apelit ka lënë në arrest me burg 35 prej të arrestuarve, ndërsa pjesa tjetër, 7 janë lënë në masën detyrim paraqitje dhe 3 në masën arrest shtëpie.
Grupi u "çmontua" nga i infiltruari i Policisë së Shtetit, që bleu lëndë narkotike pothuajse nga të gjithë anëtarët e grupit të përfshirë në role të ndryshme, ndërsa në një moment njëri prej tyre “i tha se kokaina ishte peruane e pastër”.
Kokaina shpërndahej në qese në zona të ndryshme të Elbasanit, ndërsa metadoni shitej brenda shisheve të ujit.
Në operacion kanë marrë pjesë 490 punonjës policie dhe 5 dronë, ndërsa kërkimet janë zhvilluar në 52 banesa dhe 18 lokale. Operacioni është shtrirë në Elbasan, Peqin, Cërrik, Belsh, Librazhd, Prrenjas dhe Pogradec.
Në pranga kanë ranë 45 persona, mes tyre edhe biznesmenë, shpërndarës droge, furnizues si dhe drejtues të grupeve kriminale. Nga personat e arrestuar, 12 prej tyre ka qenë dënuar edhe më parë në fushën e narkotikëve, ndërsa 10 të tjerë kanë qenë të dënuar për vepra të ndryshme penale. (A2 Televizion)