
Opozita në Kosovë nuk heq dorë nga kërkesa për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Masat ndëshkuese dhe izolimi përmenden si arsye për kritikat e forta të lëshuara në drejtim të qeverisë së Albin Kurtit dhe zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi. Kjo erdhi pas dështimit të mbledhjes së Komisionit për Integrime Europiane, ku duhej të dëshmonte dhe kryenegociatori.
Ne si Komision për integrim evropian ende nuk e kemi listën e projekteve të IPA-së dhe financat e përbashkëta që i kanë Kosova me IPA-në. Në bazë të rregullores zëvendëskryeministri do të duhej të na binte listën dhe të vjen të raportoj sot në Kuvend. Ai është dashur sot të jetë këtu dhe të na tregoj në lidhje me takimin që ka pasur në Bratislavë, i cili nuk do të duhej të ndodhte atje, por në Bruksel dhe Uashington.
Rezarta Krasniqi, kryetare e komisionit, deputete e LDK
Njeriu i dytë i kësaj qeverise sot është dashur të jetë në Kuvend. Prej marrëzisë dhe skandaleve të njëpasnjëshme që i kemi parë edhe në seancën e fundit sot nuk ishte për të raportuar, pasi e gjitha ajo çka ka bërë kjo qeveri janë skandalet e panumërta dhe sanksionet e izolimi i vendit. Është pozicioni më i keq i Kosovës në raport me partnerët e saj. sa më herët që ky pushtet e liron detyrën e tij, sa më herët që do të kemi zgjedhje do të jetë lajm i mirë për Kosovën, pasi kjo qeveri vetëm kredibilitet dhe legjitimitet s’ka. Këta njerëz që kanë aq marrëzi që të ikin prej opozitës dhe qytetarëve dhe ta lënë në këtë pozitë Kosovën vetëm legjitimitet dhe kredibilitet për të ushtruar pushtet sot s’kanë. Ata duhet t’i lirojnë pozitat e tyre dhe vendi të shkojë në zgjedhje.
Blerta Deliu, deputete e PDK
E kemi thënë prej fillimit se kjo është qeveria më jo transparente në raport me procesin e dialogut. Në Kuvend të Kosovës është miratuar një rezolutë që e obligon qeverinë dhe njerëzit që udhëheqin me dialogun të vijnë dhe të raportojnë pas çdo raundi të diskutimeve që ndodh, por edhe për të qartësuar agjendën se çka do të diskutohet në dialog. Ju po e shihni se kjo qeveri po ikë prej asaj përgjegjësi për të raportuar se çka kanë dialoguar. Ju po e shihni rastin e sotëm në të cilin mungojnë deputetët e mazhorancës, mungon zëvendëskryeministri i cili vete ka caktuar datën dhe orën. Sipas rregullores së Kuvendit e ka obligim të raportojnë se çka kanë negociuar në Bratislavë.
Time Kadrijaj, deputete e AAK
Tri partitë opozitare e lanë të hapur mundësinë që Bislimin ta thërrasin në interpelancë edhe në Kuvend, për të raportuar për masat ndëshkuese të BE-së dhe zhvillimet e fundit në dialogun me Serbinë. (A2 Televizion)