Një dokument i firmosur rreth një vit më parë nga 39 opozitarët e rinj të Parlamentit përmban një kërkesë konkrete: ndryshimin e sistemit zgjedhor.
Pa plotësimin e kësaj kërkese, thonë se nuk do ta votojnë Kodin Zgjedhor, që kërkon minimalisht 84 vota, ndonëse votimet e muajve të fundit kanë treguar shpesh se mazhoranca socialiste jo vetëm e ka tejkaluar këtë prag, por edhe atë kushtetues.
Aktualisht, opozita përbëhet nga 3 grupe. Dy me nga 11 deputetë, një me 9, ndërsa të tjerë kanë preferuar të rrinë të pavarur. Kohezioni nuk duket pika e tyre më e fortë.
Por, a është në gjendje një opozitë e cila shahet mes vetes, për të kushtëzuar Reformën Zgjedhore, për sa kohë rrjedhja e votave në favor të socialistëve është kthyer në praktikë?
Murrizi tha: “Kam firmosur për një kauzë, që është ndryshimi i sistemit zgjedhor. Nuk kemi marrëveshje në unison që jemi në opozitë me Ramën. Në opozitë me Ramën është grupi parlamentar demokrat. Nuk është hera e parë që në politikën tonë bëhen akrobacira në Parlament”.
Ndërsa Ralf Gjoni tha: “Nëse ata duan të kalojnë një draft përmes lëpirëseve, le ta bëjnë këtë gjë. Mesazhi që do t’i japin shqiptarëve do të jetë shumë i qartë, por gjithashtu mllefi që do të marrin nga shqiptarët do të jetë i paimagjinueshëm”.
Edmond Stojku, i grupit parlamentar Demokraci dhe Drejtësi, shprehet: “Si kryetar, unë përgjegjësinë e kam për deputetët të cilët përfaqësoj. Për dy grupet e tjera opozitare, ne jemi në bisedime për të qenë një format më i plotë. Se sa do të arrihet kjo, të presim”.
Në diskutimet në tryezën e Reformës Zgjedhore, socialistët dhe demokratët e kanë bërë të qartë se çështja e sistemit do t’i përkasë një faze të dytë. (A2 Televizion)