Deputetja e Partisë Demokratike, Oriola Pampuri, në një lidhje direkte me studion e “Ditarit”, në A2 CNN, deklaroi se këtë parti, gjëja që duhet ta shqetësojë më shumë është se si do të përballet me kundërshtarin politik në zgjedhjet vendore të 14 majit.
“Vendimi i gjykatës do të konsolidojë edhe më shumë grupin e PD-së dhe do ta bëjë të ligjshëm para KQZ-së. Ajo që duhet të na shqetësojë është se si do të mundim kundërshtarin politik dhe mundësia për ta mundur nuk është që të dalim në zgjedhje me disa kandidatë, që të bëjmë garë me njëri-tjetrin kush merr më shumë e kush më pak”, tha Pampuri.
“Nëse jemi për interesa personale, sigurisht që mund të bëjmë garë me njëri-tjetrin se kush ka më shumë pushtet. Por, nëse flasim për interesat e qytetarëve, duhet t’i vendosim në krye interesat e tyre dhe t’i lëmë mënjanë interesat personale. Ka arritur një përçarje e grupit në një mënyrë të tillë, saqë nuk mund të flitet për fitore. Fitore të përçarë? Fitore me dy kandidatë? Unë e kam thënë që në fillim: një kandidat nën logon e PD-së. Kjo është mundësia më e mirë ndaj kundërshtarit tonë politik”, shtoi Pampuri.
Kur u pyet nëse ka qenë i angazhuar Lulzim Basha në takimet me elektoratin, Pampuri u përgjigj: “Nuk është angazhuar në këtë periudhë. Ka bërë takime ku ka qenë i ftuar nga anëtarët e ndonjë dege. Por, takime që kanë lidhje direkte me fushatën janë bërë nga zoti Alibeaj, zoti Bardhi dhe unë”. (A2 Televizion)