







A2 CNN ka shkuar në veri të Mitrovicës, në vijën e parë të barrikadave të vendosura nga serbët, për të bllokuar qarkullimin e mjeteve dhe këmbësorëve. Në Rudarë, rreth 5 kilometra nga postblloku i policisë së Kosovës, ndodhet bllokimi i parë i rrugës me mjete të tonazhit të rëndë. Pas tyre, janë vendosur autobusë dhe makina të tjera.
Gazetari i A2 CNN, Julian Kasapi, dhe operatori Sokol Qafleshi, arritën të kalonin për pak metra bllokadën, duke sjellë pamjet e asaj që ndodh në atë pjesë të Kosovës të përfshirë nga tensionet përgjatë ditëve të fundit.
Gjatë natës, një tjetër shpërthim është regjistruar në zonë, duke shkaktuar panik te banorët e zonës. Mjeti shpërthyes është hedhur pranë shkollës teknike në Mitrovicë, nga persona të panjohur dhe të maskuar, të cilët më pas janë larguar me shpejtësi.
Njësitë e EULEX po qëndrojnë pranë shkollës, ndërsa në kryqëzimin në Lagjen e Boshnjakeve është shtuar numri i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Sipas të dhënave paraprake, shpërthimi mendohet të jetë shkaktuar nga një bombë shurdhuese dhe për këtë arsye nuk ka shkaktuar dëme. Aktualisht, rruga drejt Jarinjës, në fshatin Rudarë dhe ajo e Bërnjakut, janë të bllokuara nga serbët me kamionë e autobusë.
Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, dhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar nisin këtë të hënë vizitën dyditore në Kosovë. Përveç në Kosovë, Chollet do që qëndrojë edhe në Serbi, Bosnjë e Hercegovinë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Kroaci dhe Belgjikë nga 11 deri më 17 dhjetor, është bërë e ditur përmes një njoftimi për media nga DASH-i.
Vizita vjen menjëherë pas asaj të emisarit të BE-së, për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçk, i cili qëndroi në Prishtinë dhe Beograd për tu takuar me krerët e dy shteteve. Lajçak ka thënë se gjatë takimit të tij me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti është ripërsëritur thirrja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve fqinje. Ai ka thënë se janë duke punuar për çështjen e normalizimit të raporteve, teksa shtoi se “nuk ka më kohë për të humbur”. (A2 Televizion)