Një pilulë vrasëse e kancerit, që duket se "asgjëson" tumoret e ngurta në fazat e hershme të trajtimit, duke i lënë qelizat e shëndetshme të paprekura prej tyre, ka nisur të testohet te njerëzit.
Ilaçi i ri ka qenë në zhvillim për 20 vjet dhe tani po i nënshtrohet kërkimeve paraklinike në SHBA.
I njohur si AOH1996, ilaçi synon një variant kanceroz të një proteine të quajtur antigjen bërthamor i qelizave proliferuese (PCNA). Në formën e saj të mutuar, PCNA është "kritike" në replikimin e ADN-së dhe riparimin e të gjithë tumoreve në zgjerim.
AOH1996 është duke u punuar nga City of Hope, një nga organizatat më të mëdha amerikane për kërkimin dhe trajtimin e kancerit.
Profesorja Linda Malkas, e cila ka zhvilluar ilaçin, shpjegoi se: "PCNA është si një terminal ajror që përmban porta për shumë avionë.”
"Pilula jonë kundër kancerit është si një stuhi dëbore që mbyll një qendër kryesore të linjës ajrore, duke mbyllur të gjitha fluturimet brenda dhe jashtë, këtë rast vetëm në avionët që transportojnë qeliza kanceri”, u shpreh më tej ajo.
Teksa rezultatet fillestare janë premtuese, hulumtimi i deritanishëm ka arritur vetëm në përfundimin se AOH1996 mund të ndalë rritjen e tumorit në modelet e qelizave dhe kafshëve, me fazën e parë të një sprove klinike tek njerëzit që tani është në proces e sipër.
Pilula ka treguar efektivitet në trajtimin e qelizave që rrjedhin nga kanceri i gjirit, prostatës, trurit, vezoreve, qafës së mitrës, lëkurës dhe mushkërive.
PCNA më parë ishte etiketuar si "i padukshëm" dhe shpresohet se zbulimi mund të çojë në shpikjen e të tjera kurave më të personalizuara dhe të synuara për kancerin në të ardhmen. (A2 Televizion)