Shërohet personi i gjashtë me HIV, pas transplantit të palcës kockore

Nga A2 CNN
2 Gusht 2023, 08:21 | Lifestyle
Shërohet personi i gjashtë me HIV, pas transplantit të

Bota po e njeh atë si "pacientin e Gjenevës". Bëhet fjalë për personin e gjashtë të njohur që është "shëruar" nga HIV. Suksesi klinik u shpall nga Hôpitaux Universitaires de Genève (Zvicër) dhe Institut Pasteur dhe u prezantua në Konferencën e AIDS në Brisbane në Australi.

Pacienti që ka zgjedhur të mbetet anonim ishte infektuar me HIV që në fillim të viteve 1990 dhe që atëherë ishte trajtuar me ilaçe antiretrovirale, ilaçe që përdoren për trajtimin e infeksionit me virusin HIV. Në vitin 2018 ai u godit nga një formë agresive e leucemisë dhe për t’u kuruar veten iu desh t'i nënshtrohej një transplanti të palcës kockore, si pesë pacientë të tjerë të trajtuar më parë për HIV.

Por ndryshe nga rastet e mëparshme (të njohur si pacientët e Berlinit, Londrës, Duseldorfit, Nju-Jorkut dhe City of Hope, Kaliforni), qelizat staminale të dhuruara për pacientin në Gjenevë nuk mbanin mutacionin CCR5, i njohur për parandalimin e virusit HIV tek qelizat. Prandaj është ende e mundur që virusi të sulmojë qelizat e pacientit.

Pas transplantimit, analizat treguan se qelizat e gjakut të pacientit (elementet pararendëse të të cilave formohen në palcën e kockave) ishin zëvendësuar tërësisht nga ato të dhuruesit. Prandaj edhe numri i qelizave të prekura nga HIV kishte rënë ndjeshëm.

Burri u lirua gradualisht nga droga dhe në nëntor 2021, ai ndërpreu terapinë antiretrovirale. Sot, më shumë se 20 muaj pas përfundimit të trajtimit, në organizmin e tij nuk ka asnjë shenjë të virusit ose një përgjigje imune kundër virusit HIV.

Sipas mjekëve, pas një viti pa shenja të patogjenit, shanset për rikthimin e tij bien ndjeshëm: “Kohëzgjatja e pagjurmueshmërisë së virusit pas ndërprerjes së trajtimit, 20 muaj, është e paprecedentë te njerëzit që kanë kryer transplant të palcës kockore në mungesë të mutacionit CCR5”, shpjegoi Alexandra Calmy, drejtore e Njësisë për HIV/AIDS të Spitaleve Universitare të Gjenevës dhe Asier Sáez-Cirión, kreu i Njësisë së Rezervave Viruse dhe Kontrollit Imun të Institutit Pasteur.

Pacienti mund të jetë ende i lirë nga virusi sepse transplantimi eliminoi të gjitha qelizat e infektuara, ose sepse ilaçet e marra për të parandaluar refuzimin luajtën një rol në proces.

Rasti i burrit është premtues, edhe pse procedura e rrezikshme e transplantimit të palcës kockore që duhej t'i nënshtrohej nuk konsiderohet aspak një opsion klinik për trajtimin e HIV në miliona pacientë që jetojnë me këtë virus. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos