Plotësimi i Gjykatës së Lartë/ KLGJ interviston tre kandidatë, nuk ka garë mes tyre

Nga A2 CNN
27 Shkurt 2020, 10:59 | Aktualitet
Plotësimi i Gjykatës së Lartë/ KLGJ interviston tre

Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) intervistoi tre kandidatë për Gjykatën e Lartë, për vendet e anëtarëve që vijnë nga jashtë sistemit gjyqësor. Juristët e spikatur Sokol Sadushaj, aktualisht drejtues i Shkollës së Magjistraturës; Ervin Pupe, pedagog i Fakultetit të Drejtësisë dhe Ilir Panda, ish-anëtar i KLD-së, paraqitën plaformat e tyre dhe iu përgjigjën pyetjeve të anëtarëve.  

Intervista ishte faza përfundimtare në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për Gjykatën e Lartë, por në këtë rast u zhvillua vetëm për procedurë. Tre kandidatët e mbetur nga 21 që ishin në listen fillestare nuk janë në garë me njëri-tjetrin. Ata synojnë secili nga një vend të lirë në Gjykatën e Lartë.

Kjo do të thotë që emrat e tyre do t’i propozohen Presidentit të Republikës për dekretim, pavarësisht vlerësimit që do të marrin për intervistën. Ligji i jep 10 ditë kohë Kreut të Shtetit për dekretim ose jo, por edhe në rast refuzimi, dekreti presidencial mund të rrëzohet me shumicë votash në Këshill.

Emërimi i tre anëtarëve të rinj nuk e bën funksionale Gjykatën e Lartë, aktualisht me një anëtar të vetëm, por riaktivizon shqyrtimet në Dhomë Këshillimi dhe masat e sigurisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos