Teatri i ri Kombëtar do të ndërtohet nga shteti si një investim publik. Kështu thotë Bashkia Tiranë, e cila përmes një njoftimi në Facebook, ka njoftuar tërheqjen e kompanisë private nga projekti i ndërtimit të Teatrit Kombëtar përmes Partneritetit Publik-Privat.
“Komisioni i negocimit, në mbështetje të të gjitha kërkesave të komunitetit të artistëve për një teatër modern, i cili përmbush kriteret e nevojshme për realizimin profesional e me cilësi të shfaqjeve teatrale, nuk arriti të gjejë dakordësinë me palën private. Modeli financiar i propozuar nga pala private e interesuar për ndërtimin e godinës së Teatrit të ri Kombëtar dhe zhvillimit të zonës urbane, por edhe kompleksiteti i projektit, i cili duhet të përmbushte të gjitha kërkesat teknike të kërkuara nga përfaqësia e artistëve në komision, nuk mundësonte ndërtimin e godinës në një kohë të shpejtë dhe me infrastrukturë moderne për një teatër bashkëkohor”, thuhet në njoftimin e Bashkisë.
Bashkia thotë, se do t’i kërkojë Qeverisë ta mbështesë financiarisht “për realizimin e kësaj vepre ikonike për qytetin dhe vendin tonë”. “Bashkia e Tiranës zotohet se do ta ndërtojë Teatrin e ri Kombëtar në një kohë më të shkurtër kalendarike dhe në përmbushje të të gjitha kërkesave teknike të shprehura nga komuniteti i artistëve në konsultimet publike. Puna për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar do të nisë brenda vitit të 100 vjetorit të shpalljes së Tiranës kryeqytet të Shqipërisë”. (A2 Televizion)