Zv/ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, e ftuar në studion e “Ditari” në A2, theksoi se qytetarët nuk duhet të tremben nga koronavirusi, pasi gripi është më ngjitës sesa virusi i ri.
“Gripi është shumë më tepër ngjitës sesa koronavirusi. Qytetarët duhet të kujdesen për higjienën. Nuk duhet të ketë panik, siç nuk ka pasur panik për gripin, pasi njerëzit nuk vaksinohen për gripin. Ata që kanë humbur jetën nga koronavirusi kanë qenë me sëmundje kronike zemre, apo mushkërie”, deklaroi Rakacolli.
Zv/ministrja shpjegoi, se në rast se do të ketë një person në Shqipëri, që do të preket nga koronavirusi, pacienti do të shtrohet në Spitalin Infektiv në Tiranë. “Mjekët infeksionistë janë ata që do të bëjnë trajtimin e pacientit të mundshëm”, tha ajo.
Në lidhje me masat që janë marrë nga autoritetet për përballimin e koronavirusit, Rakacolli shpjegoi: “Ka një dirigjim ndërkombëtar nga OBSH-ja për këtë gjë, orientohemi nga protokollet e saj”. (A2 Televizion)