
Projekti i ardhur nga Lindja e Mesme për të ndërtuar portin e jahteve në Durrësin tensionoi sallën e parlamentit. Që në nisje të punimeve, socialistët tentuan të pengonin me forcën e kartonëve jeshil, kërkesën e opozitës për të mos kufizuar kohën e diskutimeve në seancë plenare, gjë që ndezi më shumë situatën në sallë.
Qëndresa pakicës detyroi maxhorancën të bënte një hap pas duke i hapur rrugë diskutimit pa kufizime të projektit prej 2,1 miliardë eurosh. Vetë Edi Rama doli në foltoren e Kuvendit për të ilustruar me fotografi gjendjen e portit si për t’iu përgjigjur akuzave të javëve të fundit ndaj ekzekutivit se prapa kësaj konkrete fshihet një aferë e madhe korruptive.
“Gjithashtu kontrata parashikon se në rast moszbatimi, shkon në marrjen e gjithçkaje që ka zhvilluar deri në atë moment me 0 pagesë nga shteti si dhe nuk ka asnjë kolateral të pronës së shtetit për zhvillimin e projektit”, tha Rama.
Porti turistik parashikohet të ndërtohet në të njëjtin vend ku sot operon poti tregtar i Durrësit, që për kryeministrin është kontrata më e leverdishme që shteti shqiptar ka firmosur në 110 vite pavarësi. “Dhe do të hap rrugën më të gjerë të punësimit në historinë e këtij vendi nga një investim i vetëm, 12 mijë vende pune dhe të mirë paguara. Jua them unë çfarë mendje duhet të kesh! Duhet të kesh mendje hajduti!”.
Ndryshe nga Rama, opozita foli me shifra konkrete. “818 mijë metra katrorë për 500 euro sa ishte përgjigja që dhanë në komision përfaqësuesit e Ministrisë bëjnë 400 milionë euro. Ua japim! Taksa e ndërtimit, e ndikimit në infrastrukturë, e pranon vetë 160 milionë. Vlera e ndërtimeve që duhet t’u shpërndahet durrsakëve 60 milionë. Në total?! Bëjeni llogarinë. Ua japim! Po ç’leverdi ekonomike është kjo?!”, tha Enkelejd Alibeaj.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha, shkoi edhe më tej, duke hedhur akuza se projekti i marinës nuk do të prekë vetëm portin, por edhe hekurudhën e Durrësit. “Nuk është marrë vetëm trualli tek porti, ka kaluar te hekurudha dhe është ngjitur deri afër qendrës së Durrësit edhe është dhënë klanit Rama Al Abar. Pra 200 mijë metër katrorë, të cilët bëjnë së paku minimumi 3 miliardë euro. Do ndërtohen 12 mijë e 600apartamente. Mbi 60% e tyre janë me aksionerë të panjohur, domethënë të klanit Rama”.
Berisha përsëriti se i përfshirë në aferë është edhe ish-kreu i opozitës Lulzim Basha, i cili u kundërpërgjigj në Twitter duke e quajtur akuzën shpifje, ndonëse nuk kishte regjistruar emrin në debatin parlamentar. Argumentet, akuzat, tensionet në sallën e Kuvendit do të transferohen në dy institucione të tjera. i pari është Presidenti Bajram Begaj i cili do të duhet të shprehet për këtë vendim të Kuvendit, i dyti është Gjykata Kushtetuese ku të dyja grupimet brenda PD-së shprehën vullnetin për ta atakuar këtë marrëveshje. (A2 Televizion)