Prona e lirë do t’u kthehet ish-pronarëve pa kufizim, të tjerat dëmshpërblim

Nga A2 CNN
24 Maj 2023, 13:11 | Politikë
Prona e lirë do t’u kthehet ish-pronarëve pa kufizim, të

Rreth 20 mijë ish-pronarë do të kenë mundësi të marrin mbrapsht pronën e tyre nëse ajo është e lirë, përndryshe do të dëmshpërblehen financiarisht nga shteti shqiptar. Pas miratimit të vendimeve nga Qeveria, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, tregoi edhe faturën financiare.

“Për afro 20 mijë vendime kemi bërë vlerësimin financiar të tyre me vlerë 101 miliardë lekë dhe 994 nga këto vendime janë likuiduar. Çdo ish-pronar që ka një kërkesë në Agjencinë e Trajtimit pronave dhe që prona është e lirë i kthehet siç e ka pasur në momentin ku është konfiskuar nga shteti. Ndërsa ajo që është e zënë me ndërtime pa leje apo që përdoren për interes publik do të ketë shpërblim financiar sipas metodologjisë së certifikuar nga gjykata e Strasburgut dhe gjykata jonë kushtetuese”, tha Manja.

Ndërsa për ish-pronarët që kanë çuar dosjet e pronave të tyre në gjykatë, qeveria I bën thirrje që të aplikojnë tek Agjencia e Trajtimit të Pronave që të shqyrtohet rasti I tyre dhe brenda dy vitesh të kompensohen.

“Ndërsa një pjesë e dosjeve që janë të patrajtuar për shkak të mbarimit të afatit të ligjit të 2015 gjej rastin të ftoj ish-pronarët që është një kategori 7 mijë dosje të ridepozitojnë dosjet për të filluar me procesin e njohjes apo të kompensimit financiar, aty ku prona është e zënë”.

Nga njëra anë qeveria do të ketë një kosto për rikthimin e pronave tek ish-pronarët, ndërsa nga ana tjetër do të përfitojë ndihmë financiare nga Britania për pranimin e rreth 200 të burgosurve shqiptarë që vuajnë dënimin në ishullin mbretëror. “Do të paguhet nga ata dhe do të na ndihmojnë me kapacitete dhe burime njerëzore. Por çdo i burgosur për t’u kthyer duhet të japë dakordësinë për këtë lëvizje. Për të shmangur mbipopullimin e burgjeve shqiptare”, tha Manja.

Ministria e Drejtësisë po punon për të çuar në parlament nismën për amnistinë penale për  të burgosurit. Për këtë propozim që kërkon 84 vota për t’u miratuar mazhoranca socialiste do të duhet të gjejë votat brenda radhëve të deputetëve demokratë.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi