''Deklarata të rreme e të rrezikshme, nuk u gjet asnjë provë'', Serbia flet për spastrim etnik në Veri

Nga Rosalba Bejdo
20 Shkurt 2024, 20:24 | Ballkani

Asnjë organizatë ndërkombëtare, përfshirë ato të sigurisë, nuk ka parë prova për pretendimet e Beogradit, se në Kosovë ka spastrim etnik të serbëve, por mungesa e provave nuk u ka dhënë fund pretendimeve nxitëse.

Në këtë përfundim ka arritur, organizata Nisma Europiane për Stabilitet.  Në një raport me titullin “Pogramet e sajuara- statistikat, gënjeshtrat dhe konfuzioni në Kosovë”, organizata kujton se në korrik të vitit 2023 presidenti serb Aleksandër Vuçiç deklaroi se NATO-ja dhe OKB-ja kishin katërmbëdhjetë ditë për të çarmatosur forcat policore të Kosovës dhe për të mbrojtur serbët e Kosovës nga “programet dhe spastrimi etnik” i vazhdueshëm i shqiptarëve. Përndryshe, "dikush tjetër" do të duhej ta bënte këtë.

Asnjë nga vëzhguesit e shumtë ndërkombëtarë me personel në terren në Kosovë, nga KFOR-i te EULEX-i, nga UNMIK-u te OSBE-ja, nuk ka parë apo përshkruar ‘spastrimin etnik të serbëve’ apo ‘terrorin’ shqiptar në vitet e fundit. Por mungesa e provave nuk i ka ndalur pretendimet nxitëse.

Raporti vë re se paralajmërimet e Serbisë se mund të ketë nevojë të dërgojë trupa në Kosovë për të mbrojtur serbët nuk janë diçka e re… Por ndërsa në deklaratat e vitit 2018 pretendohej se nëse serbët më Kosovë sulmohen, Beogradi do t’i mbrojë, nga viti 2023 thuhet se ata po sulmohen tashmë dhe duhet të mbrohen.

Nisma Europiane për Stabilitet, thotë se pas asaj që ndodhi në Banjskë, deklaratat e politikanëve në Beograd duhet të merren seriozisht.

Është koha për ta marrë seriozisht atë që po thuhet aktualisht nga politikanët në Beograd. Nëse shpiken masakra, atëherë pason dhuna. Nëse këto pretendime të rreme nuk kundërshtohen, situata do të përshkallëzohet më tej.

Nuk është ofruar asnjë provë për masakrat, dhunën sistematike apo "spastrimin etnik" të supozuar në vitet e fundit, thuhet në raportin prej 18 faqesh në të cilin bëhen krahasime të deklaratave dhe statistikave të paraqitura nga vetë autoritetet serbe. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos