Greqia vendi i parë ortodoks që legalizon martesat e të njëjtit seks

Nga Anisa Braho
16 Shkurt 2024, 07:06 | Ballkani

Greqia është bërë vendi i parë me shumicë të krishterë ortodoksë që legalizon martesat e të njëjtit seks. Çiftet e të njëjtit seks, tani do të lejohen ligjërisht të birësojnë fëmijë pas votimit të së enjtes me 176-76 vota në parlament.

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis tha se ligji i ri "do të shfuqizojë me guxim një pabarazi serioze". Por ajo e ka ndarë vendin, me rezistencë të ashpër të udhëhequr nga kisha ortodokse. Mbështetësit e saj mbajtën një tubim proteste në Athinë.

Shumë prej tyre shfaqën pankarta, mbanin kryqe, lexuan lutje dhe kënduan fragmente nga Bibla në sheshin Sintagma të kryeqytetit. Kreu i Kishës Ortodokse, Kryepeshkopi Ieronymos, tha se masa do të "korruptojë kohezionin social të atdheut". Projektligji kishte nevojë për një shumicë të thjeshtë për të kaluar në parlamentin prej 300 anëtarësh.

Z. Mitsotakis e kishte mbrojtur projektligjin, por kërkoi mbështetjen e partive opozitare për ta kaluar atë, në një kohë kur me dhjetëra deputetë nga partia e tij qeverisëse e qendrës së djathtë kundërshtuan. "Njerëzit që kanë qenë të padukshëm më në fund do të bëhen të dukshëm rreth nesh dhe bashkë me ta, më në fund shumë fëmijë do të gjejnë vendin e tyre që u takon. Reforma e bën jetën e disa bashkëqytetarëve tanë më të mirë, pa u hequr asgjë jetës së shumë njerëzve", i tha kryeministri parlamentit gjatë një debati përpara votimit.

Votimi është mirëpritur nga organizatat LGBTQ në Greqi. "Ky është një moment historik. Kjo është një ditë gëzimi", i tha agjencisë së lajmeve Reuters Stella Belia, kreu i grupit të prindërve të të njëjtit seks Rainbow Families.

Pesëmbëdhjetë nga 27 anëtarët e Bashkimit Evropian kanë legalizuar tashmë martesat e të njëjtit seks dhe gjithashtu është e lejuar në 35 vende të botës. Greqia, deri më tani, ka mbetur prapa disa prej fqinjëve të saj evropianë, kryesisht për shkak të kundërshtimit nga Kisha. Është vendi i parë në Evropën Juglindore që ka barazi martesore.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu