“Dialogu në koma”. Gjuriç: SHBA e BE po lejojnë “tërbimin nacionalist” të Kurtit

Nga Rosalba Bejdo
20 Qershor 2024, 15:25 | Ballkani

Ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuric sulmoi SHBA dhe BE, që siç tha nuk po përdorin autoritetin e tyre për të ndalur “tërbimin nacionalist’’ të Kurtit. Pas vizitës së Lajcak, ai tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është në koma, ndërsa kërkoi reagim të ndërkombëtarëve ndaj arrestimeve të shtetasve serbë në veri.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është në koma. Kështu tha ministri i Jashtëm serb Marko Gjuric, një ditë pas vizitës së përfaqësuesit të BE, Miroslav Lajcak. Duke dënuar atë që e cilësoi si “tërbim nacionalist” të kryeministrin Albin Kurti, ai kritikoi ndërkombëtarët që nuk po  përdorin autoritetin e tyre për ta ndaluar atë.

“Nuk ka të bëjë me Miroslav Lajçak, por me faktin se shumë vende duhej të përdornin autoritetin dhe ndikimin e tyre për të parandaluar tërbimin etno-nacionalist të Kurtit. Ata nuk po e përdorin autoritetin e tyre ose nuk janë të interesuar. Më e keqja është se prioriteti i shpallur më parë për krijimin e një shoqërie demokratike dhe multietnike në Kosovë dhe Metohi po zëvendësohet me disa qëllime të tjera gjeopolitike”, tha Gjuriç.

Prandaj, paralajmëron shefi i diplomacisë serbe, është e nevojshme të kuptohet serioziteti i situatës. Ai theksoi se prioritet kyç për ta, është të mbështesin mbijetesën e qytetarëve të tyre në Kosovë. “Gjithçka varet, nga këmbëngulja e tyre për të qëndruar dhe mbijetuar në tokën e vet”, shtoi Gjuriç.

Ai dënoi gjithashtu arrestimet në veriun e Kosovës, ku ditën e mërkurë është ndaluar një tjetër shtetas serb. Shpresoj në një reagim publik dhe të qartë nga BE-ja dhe SHBA-ja sepse arrestimet përfaqësojnë një “dorezë të hedhur në fytyrë” ndaj tyre dhe nuk kontribuojnë për stabilitetin në terren.

Ministri i Jashtëm njoftoi se gjatë muajve të ardhshëm, Serbia do të zhvillojë një fushatë intensive diplomatike në qytetet europiane për të tërhequr sa më shumë njerëz në anën e saj, pas konstituimit të parlamentit të ri europian. Duke komentuar propozimin e Borrell për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Prishtinës, Gjuric tha se kjo do të nxisë Kurtin të ndërmarrë veprime të tjera të njëanshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos