Drejtësia vonon, por nuk harron. Miratohet rezoluta në OKB, serbët kryen gjenocid në Bosnjë

Nga Xhevahir Qardaku
24 Maj 2024, 10:47 | Ballkani

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka miratuar rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë. 84 shtete, mes tyre dhe Shqipëria, votuan pro, 19 kundër dhe 68 shtete zgjodhën të abstenonin.

Rezoluta, e cila propozon që 11 korriku të shpallet Ditë Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit të Srebrenicës, si dhe dënon mohimin e gjenocidit dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës, u sponsorizua nga 30 vende, mes tyre edhe Shqipëria. Shtetet që e propozuan zyrtarisht atë ishin Gjermania dhe Ruanda, ndërsa në mbështetje të saj, kanë dalë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë.

Në fillim të seancës, përfaqësuesja diplomatike e Berlinit sqaroi se vula e gjenocidit nuk i vendoset një populli, por kriminelëve që e kryen atë dhe atyre që e mohojnë. Antje Leendertse, ambasadore e Gjermanisë në OKB, tha: “Misioni ynë është të nderojmë viktimat dhe të mbështesim të mbijetuarit. Kjo rezolutë nuk është e drejtuar kundër askujt, veçanërisht jo kundër Serbisë, një anëtare e nderuar e organizatës, por ekskluzivisht kundër autorëve të gjenocidit”.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ishte i pranishëm në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku pas miratimit bëri gjeste prej aktori, duke puthur flamurin serb dhe më pas duke mbuluar shpinën me të. Në fjalën e tij, paralajmëroi se kjo rezolutë do të hapë kutinë e pandorës në rajon: “Pse e propozuat rezolutën? Ne i kishim të gjitha vendimet. Gjithçka kishte marrë fund. Pse? Sepse dikujt i duhej politikisht. Unë personalisht shkova në Srebrenicë për t’u përulur, më linçuan dhe një ditë më vonë u zgjata dorën atyre që e bënë. Këtu nuk bëhet fjalë për pajtim. Kjo është diçka që do të hapë plagë të vjetra dhe do të krijojë kaos të plotë politik.”

Në Srebrenicë të Bosnjë-Hercegovinës, forcat serbe kanë vrarë mbi 8 mijë burra dhe djem myslimanë në korrik të vitit 1995. Gjykata e OKB-së në Hagë ka dënuar një sërë kriminelësh për këtë gjenocid. 

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani