“Nuk ka Ballkan pa Serbinë!” Mitsotakis: Integrimi Europian ka ngecur, duhet strategji e re

Nga Erjon Dervishi
28 Maj 2024, 10:22 | Ballkani

Kryeministri Grek Kyriakos Mitsotakis u mbyll derën e integrimit vendeve të Ballkanit Perëndimor. Gjatë një interviste me këshilltarin ‘hije’ të Kryeministrit Edi Rama, Alaistair Campbell, shefi i qeverisë Helene vuri në dukje, se pak përparim është bërë për të plotësuar kriteret e integrimit Europian. Mitsotakis përmendi Samitin e Selanikut të vitit 2003 dhe që nga ajo kohë, sipas zyrtarit grek, nuk është arritur asnjë përparim.

“Deklarata e Selanikut e vitit 2003, përmendi për herë të parë nevojën për ta afruar Ballkanin Perëndimor me Evropën, por ne nuk kemi bërë përparim të mjaftueshëm. Ka një dinamikë të re, edhe si pasojë e situatës në Ukrainë, ne duhet të përfitojmë prej saj. Për t'iu afruar Evropës, duhet respektuar rregullat evropiane dhe të bëhet përparim në çështjet që lidhen me sundimin e ligjit”, tha Kyriakos Mitsotakis, Kryeministër i Greqisë.

Kryeministri grek, u përpoq të veçonte Serbinë, si një nga vendet më të mëdha ekonomike në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe vendi që ka bërë më shumë progres. Sipas tij, Serbia duhet të shpërblehet nga Bashkimi Europian.

“Serbia është thelbësore për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Nuk mund ta imagjinoj që Ballkani Perëndimor të jetë i lidhur me Evropën pa qenë Serbia pjesë e Evropës. Është vendi më i madh, ekonomia më e madhe. Sigurisht që ato priren në të dy drejtimet, kështu që ne kemi nevojë për një grup të përshtatshëm stimujsh dhe dekurajues për ta shtyrë Serbinë në drejtimin e saj evropian”, tha Kyriakos Mitsotakis, Kryeministër i Greqisë.

Mitsotakis kërkon një rishikim të procesit të zgjerimit nga ana e Bashkimit Europian, pasi lufta në Ukraina ka larguar vëmendjen nga Ballkani.

“Një nga gjërat që duhet të bëjmë është rishikimi i procesit të zgjerimit. Çfarë do të thotë në të vërtetë të bëhesh anëtar? Sepse për momentin, duhet të jemi të sinqertë, qytetarët në Ballkanin Perëndimor nuk besojnë se do të bëhen pjesë e familjes evropiane. Ky është një problem i madh”, u shpreh Kyriakos Mitsotakis, Kryeministër i Greqisë.

Greqia është një vend i rëndësishëm i Bashkimit Europian, por kur përballet me procesin e zgjerimit me anëtarë të rinj gjithmonë ka qenë hezituese.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli