Dendias: Shumë shpejt, Greqia do të pajiset me bombarduesit F35! Gati dhe avionët luftarakë

Nga Erjon Dervishi
27 Maj 2024, 10:39 | Ballkani

Greqia shumë shpejt do të pajiset me bombarduesit F35. Kështu ka deklaruar ministri i Mbrojtjes greke, Nikos Dendias. Në një intervistë për mediat greke, Denadias, theksoi faktin se Greqia përveç F35, do të ketë në dispozicion edhe avionët luftarakë “Rafale”. Mirëpo, këto të fundit vetëm nëse e lejon arka e buxhetit të shtetit.

“Lidhur me F-35, kërkesa së shpejti do t'i dorëzohet Komisionit kompetent të Parlamentit grek për miratim. E njëjta gjë pritet të ndodhë edhe për pjesëmarrjen e Greqisë në projektimin dhe ndërtimin e fregatave Constellation. Janë programe me rëndësi jetike, jo vetëm për mbrojtjen e interesave kombëtare, por edhe për kapacitetet e kantiereve tona. Prokurimi i avionëve luftarakë shtesë Rafale mund të bëhet nëse ka hapësirë fiskale, kryesisht nga shitja e avionëve të vjetër”, tha Nikos Dendias, ministër i Mbrojtjes greke

Lidhur me Turqinë, zyrtari i lartë grek pretendon se Ankaraja është duke ngritur përsëri çështjen e sovranitetit, çka për Athinën zyrtare është tepër shqetësuese, pasi minon statuskuonë e deritanishme.

“Do të ishte e mirëpritur nëse lidershipi i Turqisë do të tregonte qetësi dhe vullnet për një ndryshim përfundimtar të qëndrimit. Por për sa kohë vendi fqinj këmbëngul në logjikën revizioniste, ne duhet të jemi të përgatitur për të gjitha eventualitetet dhe të forcojmë aftësitë parandaluese”, shtoi Dendias.

Sakaq, Dendias i ka bërë thirrje edhe vendit fqinj, Maqedonia e Veriut që të forcojë marrëdhëniet me Greqinë sepse, sipas zyrtarit grek, ato janë kusht jetik për vetë ekzistencën e Maqedonisë së Veriut.  

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Debat nga Alba Alishani