Vuçiç thotë se iu ngul gozhda në arkivol, Serbia do të “ndëshkojë” Shqipërinë pas rezolutës në OKB

Nga Xhevahir Qardaku
24 Maj 2024, 20:04 | Ballkani

Serbia e konfirmon edhe njëherë se është rreshtuar kundër Perëndimit dhe shkoi në anën e shteteve autokrate dhe “zotëve” të luftërave.

Kryetarja e Kuvendit, Ana Brnabiç, pretendoi se me miratimin e rezolutës për gjenocidin serb në Srebrenicë, e gjithë bota pa arrogancën e fuqive të mëdha perëndimore.

Ajo foli me “dialektin” e Dodikut separatist duke kërcënuar me ndarje të Republika Srpska nga Bosnje dhe Hercegovina, me pretendimin se marrëveshja e Dejtonit u shkel.

Kambana alarmi që shqetësojnë edhe Kosovën, pasi disa anëtarë të komunitetit serb dolën të enjten në Veri për të kundërshtuar vendimin në OKB me flamur rusë dhe serbë.

Duke vënë në pah shtetet që mbështetën Serbinë, si Rusia, Kina, Irani dhe vende të tjera autokrate, kryeparlamentarja paralajmëroi një vetë izolim të vendit të saj në rajon.

“Do të jetë e vështirë për mua të bashkëpunoj me vendet që janë bashkësponsorizues të rezolutës”, tha Brnabiç.

Shqipëria është një prej vendeve që bashkësponsorizuan rezolutën për të shpallur 11 korrikun si ditën e përkujtimit të gjenocidit serb në Srebrenicë.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç konfirmoi humbjen e tij personale dhe shtetërore në Nju Jork.

“Karriera ime mori fund këtu. Serbët nuk do ma falin kurrë këtë për shumë gjëra. Kjo ishte gozhda në arkivolin tim. Bëra gjithçka munda, bashkë me këta njerëz qe luftuan për Serbinë. Ata u përpoqën me çdo mënyrë për të na degraduar. Nuk mund të them se ne triumfuam, por është e qartë se cili është rezultati I vërtetë. Në i ngritëm lart serbët.”, tha Aleksandër Vuçiç.

Manifestime me flamuj serbë dhe rusë ka pasur në gjithë Serbinë, në Podgoricë dhe në Banjallukë të Republika Srpska.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi