Lotët e “krokodilit serb” në OKB, Vuçiç pak ditë pas gjenocidit: Për 1 serb, vrasim 100 myslimanë

Nga Xhevahir Qardaku dhe Gent Dervishi
24 Maj 2024, 20:08 | Ballkani

Lotët e krokodilit të Aleksandar Vuçiç pas marrjes së vulës së gjenocidit nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Më pas e festoi me krenari atë, duke thyer rregullat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së duke bërë simbolin e kriminelëve serbë me tre gishta dhe valvitur flamurin e shtetit të tij.

Por fytyra e vërtetë e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, të cilën ndërkombëtarët nuk e kanë parë ose e kanë harruar është kjo: “Vrisni një serb dhe ne do të vrasim 100 myslimanë”, shprehej ALEKSANDËR VUÇIÇ, KORRIK 1995.

Këtë kërcënim e bënte vetëm 9 ditë pasi forcat serbe nën udhëheqjen e miqve apo “mentorëve” të tij si Sllobodan Millosheviç, Vojislav Sheshel, Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mlladiç, bashkë me mercenarët “Akrepat” masakruan dhe vranë në mënyrë çnjerzore mbi 8 mijë civilë, burra dhe djem myslimanë të pafajshëm, në Srebrenicë të Bosnjë dhe Hercegovinës në korrik të vitit 1995.

Pikërisht për të mbrojtur këta kriminelë lufte të dënuar nga Gjykata e OKB-së në Hagë për gjenocid, krime lufte, krime kundër njerëzimit, por edhe veten apo bashkëpunëtorët e tij të afërt që kanë larë duart me gjakun e civilëve të pafajshëm, Vuçiç po tenton që ta shpallë të gjithë popullin serb, si një etni gjenocidiale. Në rezolutën e miratuar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së nuk thuhet diçka e tillë, por vetëm përcaktohet 11 korriku si dita e përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë dhe dënohen ata që e mohojnë apo glorifikojnë kriminelët që e kryen atë. Opinionistja serbe, Snežana Čongradin, në shkrimin e saj të fundit thotë se populli serb nuk është gjenocidial, por Vuçiç sigurisht që është një politikan që ka frymëzuar gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.

Atëherë si shpjegohen lotët e Vuçiçit mbi flamurin serb në sallën e OKB teksa ish-liderët dhe ai vetë shpalleshin gjenocidiale dhe jo populli serb? Shpjegimi është pikërisht se Vuçiçi për të mbrojtur vijimësinë e tij si lider autokrat dhe populist i duhet në fakt që në Serbi të gënjejnë hapur duke thënë që, “ja na vunë damkën në mes të botës si popull që bëjmë gjenocid”.

Këtë gabim, ai e bën në sytë e atyre që përpiqen të mbajnë balancën mes tij dhe Kosovës për shembull ose balancën mes tij në BE dhe atij në Rusi. Por, pas kësaj, ndoshta ndërkombëtarët duhet t’i hapin sytë mirë. Ndoshta një rifreskim i historisë jo të popujve, por të liderëve, përfshi edhe Vuçiçin në 1995 nuk do ishte keq për të kuptuar se kur ata që e njohin mirë këtë rajon druhen ta bëjnë asociacionin pikërisht sepse ata që e kanë hartuar nuk e njohin mirë as Vuçiçin dhe as atë që vjen prej tij. Ja ku po shohim përsëri në Bosnjë, fiks momentin teksa votohej gjenocidi në Bosnjë, Dodiku shpall platformën serioze të shkëputjes së pjesës me popullsi me shumicë serbe nga trungu i Bosnjës.

A nuk ju sjell ndërmend kjo diçka që po kërkohet edhe në Kosovë? Quhet asociacion, por me garancitë e ndërkombëtarëve që nuk do të jetë një Republika Srbska në veri.. por pak a shumë edhe në 1995, zona ku ndodhi masakra ishte zonë e mbrojtur nga ndërkombëtarët?

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Debat nga Alba Alishani