Serbia, një këmbë në Rusi e një në BE, Daçiç përqafohet me Lavrov, Vuçiç “i qahet” Macronit

Nga Rosalba Bejdo
21 Mars 2024, 15:44 | Ballkani

Serbia me një këmbë në Europë dhe tjetrën në Rusi. Është një pohim i përmendur vazhdimisht kohët e fundit, por që sot gjeti zbatim në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës.

I pari i shtetit të Serbisë, presidenti Aleksandër Vuçiç gjendet në Bruksel, ku është takuar me zyrtarë të lartë perëndimorë si Ursula Von der leyen dhe presidenti Emanuel Macron. Por teksa mediat serbe raportuan bisedimet e ngrohta me Macron, disa mijëra kilometra larg, shefi i diplomacisë Ivica Daçiç, përqafohej me homologun rus, Sergei Lavrov.

Ky i fundit e ftoi, Daçiç në Moskë për të parë së bashku, atë që e kanë pagëzuar si duel vëllazëror, mes kombëtareve të futbollit Rusi-Serbi. Serbia, e cila nuk i është bashkuar sanskioneve të bllokut ndaj Moskës, do të bëhet kombëtarja e parë evropiane që luan ndeshje futbolli në Rusi prej kur Moska nisi luftën në Ukrainë në shkurt të vitit 2022.

“E konsiderojmë të papranueshme të politizojmë sportin, edhe pse perëndimi vijon të ndjekë këtë linjë të mbështetur nga zyrtarët ndërkombëtar. Duket se nuk ka shumë gjasë që ky trend të përmbyset në të ardhmen e afërt”, tha Sergei Lavrov, ministër i Jashtëm i Rusisë.

Lavrov tha se Rusia është e interesuar të “parandalojë kriza të reja” në Ballkan, ndërsa Daçiç e cilësoi të një interesi jetik për Serbinë, ruajtjen e marrëdhënieve me Moskën dhe Pekinin. E ndërsa ekspozon me krenari dhe pa i hyrë asnjë gjemb në këmbë, lidhjet vëllazërore me shtetin të cilit blloku i ka shpallur luftë, Beorgadi, tregon nga ana tjetër se nuk e ka të vështirë të edhe ruajë aleatët në BE.

Siç raporton media “Tanjug”, kur Macron përshëndeti organizatorët e samitit të parë global për energjinë bërthamore në Bruksel, ai ju afrua përzemërsisht Vuçiçit, dhe më pas u ul pranë tij. Mediat serbe raportojnë se presidenti serb ka informuar homologun francez, lidhur me zhvillimet sa i përket Kosovës dhe për presionin në rritje ndaj popullit serbe, që sipas tij, është vënë në pozitë jashtëzakonisht të vështirë pas lëvizjeve të fundit të Prishtinës.  

A2 CNN Livestream

Dita jonë