Opinioni në median amerikane, Putini dëshiron të nisë një luftë në Ballkan, sytë te Kosova

Nga Xhevahir Qardaku
19 Mars 2024, 20:45 | Ballkani

Putini dëshiron një luftë në Ballkan”. Kështu titullohet një opinion i publikuar në median prestigjioze amerikane, Wall Street Journal, në të cilin detajohen raportet e ngushta mes Rusisë dhe Serbisë dhe ndikimin që ka kjo aleancë në nxitjen e konflikteve në rajon.

Autorët, Ivana Stradner dhe Mark Montgomery, hulumtues në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive, vlerësojnë se në një kohë kur të gjithë sytë janë drejtuar në Ukrainë, po lind një tjetër konflikt në Europë.

Sytë e Rusisë janë drejtuar nga Kosova, ndërsa Serbia po drejton zhvillimet në terren, në një kohë tensionesh tepër të larta. Hulumtuesit vënë në pah lëvizjet kërcënuese të Serbisë me vendosjen e ushtrisë në gatishmëri luftarake pas tensioneve të majit të kaluar dhe frikën amerikane se ishte bërë gati për të nisur një pushtim të Kosovës pas sulmit të armatosur të shtatorit. 

“Shqetësimet për një krizë të re, shtynë Uashingtonin të publikonte informacione sekrete të inteligjencës për rreshtimin ushtarak të Serbisë dhe për sulmin ndaj policisë së Kosovës. Disa ditë më pas, Serbia u tërhoq nga kufiri, por është e dukshme që Beogradi dhe Moska po përgatisin një fushatë tjetër dhune dhe provokimesh për vitin 2024. Rusia po kryen operacione të ndikimit me mesazhe në favor të luftës në Serbi dhe po dërgon armë. Edhe Kina po dërgon armë.”

Më tej në opinionin e Wall Street Journal, thuhet se Serbia ka shtuar shpenzimet ushtarake këtë vit dhe vazhdon që të lejojë veprimtaritë e të ashtuquajturës qendër humanitare të menaxhuar nga Rusia, pranë bazës kryesore të NATO-s në Kosovë.

Kjo qendër ruse, sipas funksionarëve perëndimor, shërben si qendër spiunazhi e Putinit në Ballkan. Hulumtuesit theksojnë se Serbia dëshirojnë dhe presin çdo pretekst për të vepruar.

Lidhur me këto zhvillime shqetësuese, ata i bëjnë thirrje fuqive perëndimore dhe NATO-s që të riorientojnë burimet diplomatike dhe ushtarake, por edhe të përdorin forcën e sanksioneve. Opinioni përmbyllet me faktin që Rusia ka nevojë për të hapur një front të ri në Ballkan, për të hequr vëmendjen nga konflikti në Ukrainë. 

A2 CNN Livestream

Dita jonë