Tronditet Maqedonia e Veriut! Qëllohet me armë kryetari i Haraçinës, gazetari tregon arsyet

Nga A2 CNN
1 Prill 2024, 18:02 | Ballkani

Maqedonia e Veriut është tronditur sot nga një sulm me armë ndaj kryetarit të komunës së Haraçinës, ku për pasojë kanë mbetur të plagosur dy persona, mes të cilëve edhe djali i shoferit të kryekomunarit Ridvan Ibrahimi. Në studion e Ditarit me Bruna Çifligun, gazetari Abedin Ismaili, ka sjellë detaje nga kjo ngjarje e pazakontë. Sipas tij sulmi ka ndodhur gjatë kohës që kryetari i komunës së Haraçinës po inspektonte punimet e një rruge.

“Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në orën 13.45. Objekt i sulmit ka qenë kryetari i komunës së Haraçinës. Ai ka qenë duke inspektuar punimet e një rrugë, gjatë këtij momenti. Kryetari i komunës është në gjendje të mirë, por janë plagosur dy persona, mes tyre djali i shoferit të kryetarit të komunës. Ai i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale”.

Gazetari Ismaili thekson se motivi i kësaj ngjarjeje mund të jetë vazhdimësia e një konflikti të nisur në vitin 2021, ku Ibrahimi u kërcënua, si edhe projekti për ndërtimin e stadiumit të klubit Shkëndija.

“Dyshimet e para janë për vazhdimësi të një konflikti të viti 2021, për shkak të emërimit të një drejtori shkolle në Haraçinë në atë kohë, ku kryekomunari Ridvan Ibrahimi u kërcënua. Aktualisht  bëhet fjalë për një projekt të komunës në vitin 2023 që disa toka bujqësore të futen në përdorim duke u shndërruar në zona industriale dhe plani ka qenë për ndërtimin e stadiumit të klubit të futbollit Shkëndija. Ka persona që i kanë uzurpuar këto prona dhe kjo ka rënë ndesh me ata, por kryetarit nuk është zmbrapsur”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos