Vuçiç "shpërthen" ndaj Perëndimit: Do na dënojnë për gjenocid në OKB, duan dëmshpërblim!

Nga A2 CNN
29 Mars 2024, 20:33 | Ballkani

Serbia pranon humbjet e fundit politike lidhur me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Presidenti Aleksandër Vuçiç mbajti konferencën e shumëpritur duke theksuar se vendi i tij po paguan një çmim të lartë për shkak të marrëdhënies me Rusinë.

“Vendet perëndimore ndjejnë shumë presion për shkak të avancimit të forcave ruse dhe pasigurisë se si do të përfundojë konflikti në Ukrainë, dhe janë nën presion nga mesazhet politike nga Moska bazuar në atë që quhet ‘precedenti Kosovë’. Pikërisht për këtë arsye, bëhet fjalë për heqjen e Kosovës si një as të mundshëm nën mëngë të Vladimir Putinit dhe prandaj jemi në shënjestër të Prishtinës dhe atyre që i kanë përkrahur”, tha Vuçiç.

Presidenti serb u shpreh i tërbuar me perëndimin, konkretisht emisarët e posaçëm, si Escobar dhe Lajçak që i kanë premtuar se asociacioni do të ishte një parakusht, por tashmë nuk është. Vuçiç akuzoi Dora Bakojanis, që rekomandoi pranimin e Kosovës pa kushte shtesë, se është thyer 3 ditë para votimit nga një telefonatë. Por inatin më të madh e pati me 5 vendet e BE-së që nuk e njohin Kosovën, për faktin që sipas tij po ia punojnë pas shpine duke e pranuar si shtet në Këshillin e Evropës.

“Nuk ka asnjë forum në të cilin nuk është ftuar Prishtina. Më pas i kanë dënuar me liberalizim të vizave, pastaj me pjesëmarrje në Këshillin Politik të NATO-s, që është agresion ndaj vendit tonë. Ata i kanë dënuar me iniciativë për pranim në Këshillin e Evropës, edhe pse Kosova jo vetëm për ne, por edhe për pesë vendet anëtare të BE-së, Kosova nuk është shtet.”, deklaroi Vuçiç.

Mes tjerash kërcënoi se bashkë me qeverinë, Serbia do të dalë me një reagim të fortë pa asnjë kufizim për manovrim. Gjatë konferencës Vuçiç zbuloi humbjen që do të pësojë vendi I tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku më 27 prill do të miratohet një rezolutë për gjenocidin në Srebrenicë, të iniciuar nga Gjermania dhe Ruanda.

“Fuqitë perëndimore duan ta sjellin vendin tonë në një situatë të vështirë. Me gjithë ato histori e përralla, na takon neve të themi qartë dhe pa mëdyshje se çfarë po ndodh. Ne do të kemi Perëndimin Kolektiv kundër nesh, si dhe një numër të konsiderueshëm të vendeve islamike”, deklaroi Vuçiç.

Gjithashtu Vuçiç sqaroi se pas miratimit të kësaj rezolute, Serbisë do t’i kërkohen dëmshpërblime financiare.

A2 CNN Livestream

Dita jonë