E destinuar të dështojë sërish, Rusia nuk heq dorë: Seancë në OKB për bombardimet e NATO

Nga A2 CNN
27 Mars 2024, 20:10 | Ballkani

Rusia po shkon drejt dështimit të radhës në Kombet e Bashkuara. Dmitry Polyanskiy, zëvendës përfaqësuesi i Putinit në “Pallatin e Qelqtë” njoftoi se ka kërkuar edhe njëherë mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për bombardimet e NATO-s kundër ish Jugosllavisë, ndërhyrje e cila ndaloi spastrimin etnik të ushtrisë serbe në Kosovë.

Zyrtari rus bën me dije se presidenca joponeze ka pranuar që seanca të mbahet më 28 mars, por dorëzohet kur thotë se anëtarët perëndimorë të Këshillit të Sigurimit do të ndjekin të njëjtën procedurë si herën e kaluar që nuk lejuan diskutimet për bombardimet e NATO-s në ish jugosllavi në ’99.

“Ata mund të llogarisin në 9 votat e nevojshme në raste të tilla, falë delegacioneve që nuk kanë guxim për t'i kundërshtuar. Fatkeqësisht, kjo është situata aktuale në Këshillin e Sigurimit: NATO dhe BE kanë konceptin e ‘disiplinës së bllokut’, anëtarët e tyre marrin udhëzime identike dhe votojnë në të njëjtën mënyrë (nën kërcënimin e përjashtimit nga pakoja)”, tha Dmitry Polyanskiy, zëvendës përfaqësues i Rusisë në OKB.

Në këtë diskutim është futur edhe Patriarku Kiril i Kishës Ortodokse të Rusisë. Ai akuzon perëndimin se është përpjekur që në Moskë të zbatojë të njëjtin skenar konflikti fetar si në Jugosllavi në ’99. Ndërkohë, në seancën e 25 marsit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Rusia, aleate e ngushtë e Serbisë kishte kërkuar futjen në agjendë të pikës së emërtuar “kërcënimet ndaj paqes ndërkombëtare dhe sigurisë” më rastin e 25 vjetorit të bombardimeve, të aleancës, por SHBA, Franca dhe shtete të tjera abstenuan në votim, duke e parandaluar diçka të tillë. Ato argumentuan se agjenda e takimit duhet të miratohej nga të gjithë anëtarët, ndërsa akuzuan Rusinë se po shfrytëzonte ngjarjen për të nxitur përçarje dhe destabilitet në Ballkanin Perëndimor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos