Një grup opozitar në Serbi ka nisur mbledhjen e firmave për një peticion kundër një projekti ndërtimi që do të financohej nga kompania e dhëndërit të ish-presidentit amerikan Donald Trump.
Në qendër të projektit është selia e shtabit të ushtrisë serbe, e cila u shkatërrua në fushatën e bombardimeve të NATO-s në vitin 1999. Në peticionin e nisur të hënën, grupi opozitar “Lëviz dhe ndrysho” i kërkoi qeverisë të respektojë ligjin, i cili thotë se ndërtesa mund t’i kthehet vetëm funksionit të saj fillestar.
Organizatorët pretendojnë se aty duhet të ngrihet Muzeu i Historisë Serbe. Në më pak se 24 orë peticioni u nënshkrua nga rreth 10 mijë veta. Për shumëkënd, ndërtesa e bombarduar e komandës së ushtrisë serbe është një simbol i fuqishëm i rezistencës së Serbisë kundër atij që e quajnë agresion të NATO-s, 25 vjet më parë.
Një grup protestuesish me flamuj serbë dhe rusë u mblodh të dielën para kësaj ndërtese në përvjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s, që i dhanë fund shtypjes së shqiptarëve të Kosovës nga forcat serbe.
Jared Kushner ka shfaqur interes për të investuar edhe në Shqipëri, ku ka paraqitur një projekt për shndërrimin e një ish-baze ushtarake në ishullin e Sazanit në një qendër pushimesh. (A2 Televizion)