Dy ditë pasi Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit amerikan, Donald Trump, konfirmoi se nëpërmjet firmës së tij të investimeve “Affinity Partners”, do të përfshihet në biznes në Shqipëri me anë të një projekti zhvillimor që do ta shndërrojë ishullin e Sazanit në destinacion turistik elitar, kryeministri Edi Rama e ka pranuar se negociatat janë serioze.
Nga mbledhja e Asamblesë së PS, kritikat e kundërshtarëve politikë dhe shoqërisë civile se po ia dhuron Sazanin privatit, nëpërmjet ndryshimit të ligjit për Zonat e Mbrojtura, Rama i cilësoi delirime të atyre që i pengon hija e ish-Presidentit amerikan.
“Këto ditë, Kushner, një sipërmarrës, amerikan dhe dhëndri i ish-presidenti Trump shpalli publikisht ambientin për të investuar në dy projekte të mëdha turistike në Shqipëri. Po ata, që deri dje na tregonin Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut si shembuj të paarritshëm për investime në turizëm dhe për investime të huaja direkte, sot flasim për rrezikun që i kanosët Sazanit nga kthimin në një xhevahir i kurorës së artë të turizmit në Mesdhe. Delirojnë për rrezikun e shkatërrimit të një parku kombëtar imagjinar, të një zone të mbrojtur që e mbrojtur nuk ka qenë kurrë përveç se ushtarëve të Enver Hoxhës që vëzhgonin me dylbi zbarkimin e flotës së 7 amerikane në Shqipëri dhe zbulojnë se si doli në dritë arsyeja e errët për ndryshimin e ligjit për zonat e mbrojtura. Hija e ish-presidentit amerikan, i pengon ata më gojështhururit t’i bashkëngjiten këtyre zërave për mua, djali i paudhë që doli nga thesi i parave të Sorosit, me djalin për shpirt të armikut më të betuar të Sorosit. Me gjasë zbulojnë me rregull 3 si doli në dritë arsyeja e errët për ndryshimin e ligjit për zonat e mbrojtura! Balta e hedhur mbi ata që vijnë nga jashtë kufirit të Shqipërisë për të kontribuar, e bëjnë Shqipërinë të duket qesharake.”
Sipas shefit të qeverisë forma e investimit që Kushner do të sjellë në Shqipëri, është më prestigjiozja e hotelerisë në botë dhe synon ta kthejë ishullin e Sazanit në kurorën e turizmit elitar në vend.
“Është forma më prestigjioze e hotelerisë në botë. Ka ndërtuar një duzinë strukturash në zonat përrallore të UNESCO-s. Shqipëria 'kampione e turizmit', nuk është vetëm një slogan, por një projekt gjeopolitik që formësohet përmes projekteve konkrete që krijojnë mundësinë për këtë zhvillim historik. Sa për Zonat e Mbrojtura e dimë shumë mirë se kush e shëmtoi dhe mbuloi me plehra trupin magjepsës të Shqipërisë. Qëllimi jonë strategjik nuk është fshehur. Sot Melia Grup ka firmosur 18 kontrata për projekte në sektorin e Turizmit.”
Sipas Ramës ka pasur në vazhdimësi propozime për ndërtime në Sazan përmes strategjive për shndërrimin e zonës në një destinacion turistik, por qeveria i ka hedhur poshtë pasi nuk është e interesuar për pazare.
“Atyre që thonë ‘po shisni pasuritë e atdheut te 5 oligarkë, Sazanin tek të huajt’, u them jo. Në Shqipëri nuk janë 5 por qindra investitorë, pa llogaritur të tjerë që po ngrenë struktura hotelieri dhe të tjerë që mezi presin që ne tu lehtësojmë rrugën në zonat malore për të marrë titujt e pronave. Numri i pronarëve shqiptarë që kanë përfituar dhe përfitojnë është dhjetëra mijëra. Ne nuk do shesim as Sazanin dhe asnjë vend tjetër. Tjetër kush i nxori tokat e shtetit me 1 euro dhe nuk erdhi asnjë i marrë dhe që bëhet lajmë në botë vetëm për keq. Sot Shqipëria në të gjitha vendet e botës është për lajm të mirë. Për Sazanin nuk është kërkesa e parë dhe as e fundit. Na janë ofruar projekt ide dhe i kemi refuzuar pasi nuk jemi të interesuar të bëjmë pazar për veten. Jemi të qartë se çfarë vlerash do i lejmë trashëgim brezave. Bukuritë e Shqipërisë të kthehen në burim rritje ekonomike dhe krenarie për Shqipërinë. Ndërkohë që të tjerët flasin ne duhet të punojmë paralelisht në shumë fronte.” (A2 Televizion)